“Pa ju nuk do të kisha zgjidhje”



“Pa ju nuk do të kisha zgjidhje”

21:33 03/07/2020

Nuk merr pagesën e shtatzanisë, “Stop” zgjidh problemin

Ernalda Deliallisi nga qyteti i Patosit është drejtuar në redaksinë e emisionit “Stop” për një problem me pagesën e lejes së lindjes pas muajit të 5-të të shtatzanisë.

Ajo ka qenë punonjëse e fasonerisë “Tur Tekstil” dhe deri në muajin e 5-të i janë paguar raportet rregullisht, por më pas nuk e ka marrë të plotë pagesën, edhe pse i ka dorëzuar raportet në rregull.

Ernalda është interesuar pranë subjektit ku punonte dhe i është thënë se dokumentet janë dorëzuar në rregull, ndaj duhet të interesohet pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Për këtë gazetarja e “Stop” u interesua edhe vetë pranë “Tur Tekstil”.

Gazetarja: Nga ju janë dërguar raportet?

Tur Tekstil: Po nga ne janë dërguar raportet. Vetëm se fola pak me administratorin, siç ju thashë dhe për momentin, nuk është këtu dhe normalisht dhe ai si administrator, do diçka, që të lëri gjurmë. Kështu që, ju lutem dërgoni diçka në mënyrë elektronike ose me postë!

Gazetarja: Po mua thjesht më duhen dokumentet, që ju keni dorëzuar! Fotokopje të tyre!

Tur Tekstil: Ne i kemi. Raporti i fundit i zonjës është dorëzuar në datën 27.05. Pa lëvizur ju nga dera, do ju vijë email-i.

Gazetarja: Po unë këtu tek dera jam. S’e kuptoj, pse duhet të m’i dërgosh me email, kur jam tek dera.

Tur Tekstil: Sepse unë një urdhër të tillë kam.

Duke qenë se i gjithë dokumentacioni është dorëzuar në rregull nga “Tur Tekstil”, me sa duket problemi qëndron tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Në këtë të fundit na u tha se raporti i parafundit i zonjës është dorëzuar në datën 27.05.2020 dhe ka afat 30 ditë për ta dorëzuar pasardhësin.

Ndërsa për sa i përket pagesave të tjera, pra Shkurt, Mars dhe Prill arsyeja e vonesës ishte pandemia, ndaj shumë shpejt do të bëhen llogaritë dhe do të kalojnë pagesat e zonjës.

Në një komunikim telefonik me gazetaren e “Stop”, Ernalda Deliallisi thotë se gjithçka është zgjidhur dhe pagesën e ka marrë.

“Pasi komunikuam bashkë, më morën në telefon nga Sigurimet Shoqërore të Tiranës dhe më thanë se ishte bërë një gabim. Ishte firmosur muaji i pestë që unë mendoja se ishte i pesti ai, unë nuk e kisha marrë muajin e pestë. Në Sigurimet Shoqërore ishte firmosur dhe mua nuk më kishte kaluar në llogari. Falë ndërhyrjes tuaj, u rregullua kjo gjë. Mua mu hodhën ato lekë në bankë, tani i mora. Faleminderit shumë “Stop”-it që më ndihmoi. Pa ju nuk do të kisha zgjidhje, nuk dija se ku të shkoja.” /tvklan.al




Të ngjashme