Seanca e 7 Korrikut nuk shënoi vetëm fundin e një legjislature, por dhe të rrugëtimit politik të shumë prej deputetëve.

Disa prej socialistëve të cilët nuk arritën të kalonin “traun” e 25 Prillit nuk e fshehin keqardhjen për parakalimin e fundit në oborrin e Kuvendit.

 “25 vjet janë shumë jetë parlamentare dhe tani që po vija këtu po mendoja çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 25 viteve. Jam përpjekur që me qytetarët të kem një komunikim të vazhdueshëm dhe po ju jap vetëm një shembull, numri im i telefonit nuk ka ndryshuar kurrë”, shprehet Musa Ulqini.

“Kam 26 vite në parlament, tani në parlament duhet të vijnë të rinjtë”, thotë Spartak Braho.

“Për 12 vite kemi dhënë aq sa mund të jepet, mund të kishim dhënë akoma më mirë, por është një mënyrë për të reflektuar”, tregon Vasilika Hysi.

“Eksperienca parlamentare ka qenë një nga eksperiencat që kam pasur më të bukura në jetën time” , thotë ndër të tjera Ilir Beqaj.

E ndërsa të tjerë na sigurojnë se nuk do t’i shohim për herë të fundit në politikë.

“Unë kam qenë gjithmonë në politikë, kam qenë në politikën evropiane. Nuk do të thotë që mos jesh në sallën e parlamentit dhe mos merresh me politikë”, thotë Fate Velaj.

Opozita më e pazakontë në historinë e politikës shqiptare nuk ka aspak rezerva për kontributin që ka dhënë në Kuvend. Paqja dhe siguria janë disa prej të mirave që mendojnë se i kanë sjellë vendit për dy vite të ulur në karrigen e ligjvënësit.

Kostaq Papa: Do mbahemi mend për të mirën që i bëjmë Shqipërisë, për paqen për integrimin.

Majlinda Halilaj, që zëvendësoi Lulzim Bashën, nuk do të mbahet mend vetëm për fjalimin plot gabime në foltore…

Majlinda Halilaj: Do mbahem mend se kam punuar shumë. Kam votuar ato që duheshin votuar.

Ndërsa pjesa tjetër e opozitës ndryshimet në Kushtetutë për reformën zgjedhore konsiderojnë arritjen më të madhe.

“Jam shumë i lumtur që për dy vite arrita të hap listat dhe të realizoj atë për të cilën mbajta mandatin”, thotë Murrizi.

Një gotë verë në fund të seancës, duket se i la pas gjithë diskutimet e 2 viteve jo pak intensive.

Klan News