Parashikime të zymta për Shqipërinë

Parashikime të zymta për Shqipërinë

22:59 15/07/2019

Shqiptarët do vazhdojnë të lënë Shqipërinë madje në një numër edhe më të madh. Të paktën kështu flasin parashikimet e Bankës Botërore, e cila llogarit afërsisht trendin që do ketë emigrimi deri në vitin 2050.

Konkretisht, sipas publikimit të bërë në media për periudhën 2017-2022 emigracioni neto, diferenca ndërmjet të ikurve dhe atyre që rikthehen, parashikohet të jetë -40 000 persona.

Ndërsa deri në vitin 2047, Banka parashikon që emigracioni neto të vazhdojë me të njëjtat ritme, ku çdo 5 vjet të ikin nga vendi mesatarisht 40 mijë persona.

Sipas përllogaritjeve të bëra, sipas kësaj procedure, numri total i larguarve deri në vitin 2050 shkon në afro 280 mijë persona.

Pritshmëritë për shtesën e popullsisë nga ana tjetër janë në tkurrje. Gjatë vitit 2018, shtesa natyrore e popullsie ishte 7 130 persona, niveli më i ulët që nga viti 1923.

Në fund të shekullit parashikimet me pesimiste flasin për rënien e popullsisë së Shqipërisë nën 1 milion banorë.

Shqetësimi për emigrimin dhe plakjen e popullsisë është ngritur edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili e sheh këtë fenomen si kërcënim të brendshëm të ekonomisë së vendit.

Ky institucion i kërkon qeverisë të marrë masa të menjëhershme për të krijuar një rritje ekonomike gjithëpërfshirëse në mënyre që të frenohet largimi i njerëzve. Shqetësimin e ngrenë vazhdimisht edhe sociologët, të cilët thonë se Shqipëria është vetëm humbëse e emigrimit, pasi po i ikën rinia, truri dhe krahu i punës. Kjo do të çojë edhe në krizën e konsumit, duke shkaktuar edhe pasoja ekonomike.

Klan Plus

Të ngjashme
UKT