Sëmundjet neurologjike janë më të përhapurat në popullsi, mes tyre është edhe Parkinsoni, është një sëmundje kronike, progresive, degjenerative e trurit. Sipas mjekes neurologe Entela Basha në vendin tonë ka një rritje të numrit të të sëmurëve me Parkinson edhe për shkak të plakjes së popullsisë.

Entela Basha (mjeke neurologe): Plakja e popullatës bën që të shtohet numri i patologjive degjenerative. Dhe duke qenë se Parkinsoni është patologji e tillë, patjetër që edhe numri rritet. Ajo që vëmë re po ashtu është se kemi një rritje të diagnostikimit.

Por cilat janë ato simptomat që një person të fillojë të dyshojë se vuan nga Parkinsoni?

Entela Basha (mjeke neurologe): Pacientët vijnë te mjeku në fakt kur fillojnë ato që quhen shenja motore. Që janë ngadalësia në lëvizje, në kryerjen e aktiviteteve të përditshme, dridhja, probleme me ekuilibrin, çrregullime të tjera që janë urinim i shpeshtë, çrregullime të humorit, të gjumit. Nëse shfaqen shenjat motore, ka humbur gati 70% e neuroneve që çlirojnë dopaminën.

Sipas neurologes personat që kanë në rrethin familjar të sëmurë me këtë diagnozë kanë rrisk më të lartë për të patur Parkinson.

Entela Basha (mjeke neurologe): Si të gjitha sëmundjet, edhe Parkinsoni ka komponentin e rëndësishëm gjenetik, specifikisht pacientët që janë gjenetikisht bartës të gjeneve përgjegjëse të Parkinsonit, e shfaqin sëmundjen shumë më herët se sa është mosha mesatare që është 60, 65 vjeç. Ndërsa për pacientët që janë bartës të genit përgjegjës shfaqet rreth moshës 40 vjeç.

Kjo sëmundje nuk mund të shërohet, por me trajtim mund të ngadalësohet përkeqësimi i saj. 

Entela Basha (mjeke neurologe): Medikamentet bëjnë ngadalësim të humbjes së qelizave dhe njëkohësisht zëvendësimi i dopaminës në mënyrë që të rregullohen funksionet e lëvizshmërisë apo edhe të dridhjes.

Sipas OBSH, Parkinsoni, sëmundja degjenerative e trurit, mund të prekë më shumë se 12 milionë njerëz deri në vitin 2040.

Klan News