Klosi: Potencial për zhvillimin e guidave të sporteve në turizëm

Parku Kombëtar i Qafshtamës ofron mundësinë e ushtrimit të një sërë sportesh në natyrë si ecje nëpër shtigjet e hapura enkas, hiking, çiklizëm, ngjitje në majat përreth, kamping dhe ski.

Për t’i promovuar ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi kërkoi mbështetjen e të rinjve që pritet të diplomohen për Menaxhim të Sporteve në Turizëm.

“Rreth 7 milionë turistë pritet që të vijnë këtë vit, por ne na duhet ta promovojnë shumë më tepër për qytetarët shqiptarë. Pra, që ta njohin dhe ata shumë më tepër Shqipërinë dhe të ndihmojnë kaq shumë investime që po bëjnë në turizëm. Prandaj është që na duhet që përveç se të dinë, të ketë edhe argëtim, të kenë arsye përse të qëndrojnë në një pikë kaq të bukur si Qafshtama”.

Ministri u ndal tek rëndësia që ka profesioni i tyre në promovimin e turizmit.

“Ne si Ministri në bashkëpunim me operatorët turistik gjithmonë kemi shumë kërkesa për profesionin tuaj. Njerëz që dinë se çfarë është Shqipëria, dinë ta tregojnë Shqipërinë ashtu siç duhet, dinë të shoqërojnë në ambiente të ndryshme dhe në zona të caktuara si kjo e Qafshtamës, turistët e huaj”.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafshtama ofron një natyrë mbreslënëse. Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafshtamës ka një frekuentim gjatë gjithë vitit. Ajo gjendet rreth 25 kilometra në verilindje të qytetit të Krujës. Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik.

Tv Klan