Që prej së dielës, ambasada shqiptare në Athinë apo objekte që lidhen me shtetas shqiptarë janë nën survejim të rreptë nga policia greke. Ajo ka rritur nivelin e sigurisë nga frika e incidenteve, si ai i të martës në mëngjes ku zyrat e një agjencie turistike shqiptare u sulmuan me bomba molotov nga persona të maskuar.

Sulmi dyshohet se ka lidhje me ngjarjen e Bularatit ku mbeti i vrarë Kostandin Kaçifa, për të cilin u mbajtën homazhe nga rinia e Vorio Epirit dhe Agimi i Artë. Një deputete e kësaj partie kërkoi nga Parlamenti të mbajë 1 minutë heshtje në nderim të 35-vjeçarit, por drejtuesi i seancës e shpërfilli propozimin.

“Para se të fillojë diskutimi për rendin e ditës dhe për shkak se në Vorio Epir u vra paburrërisht nga një regjim që përndjek helenizmin vetëm sepse donte që në përvjetorin e 28 Tetorit të valëviste flamurin grek do kërkoja të mbahej 1 minutë heshtje në Parlament në kujtim të 35-vjeçarit Konstandin Kaçifa”, 

u shpreh deputetja e Agimit të Artë.

“Nuk mendoj se ka ndonjë kundërshti që kujtimi i atij njeriu të nderohet, por mbajtjen e 1 minutë heshtje nuk e parashikon rregullorja, sepse nuk ka një vendim të marrë nga kryetarët e grupeve për këtë gjë

“, tha kreu i Parlamentit.

Përplasje mes pati edhe në komisionet parlamentare, ku sërish deputetët të Agimit të Artë kërkuan që të mos bëhet asnjë diskutim tjetër por të nderohet i riu që u vra për flamurin, por kjo u kundërshtua fort nga kryetarja e komisionit që i përket shumicës parlamentare ne pushtet. Zv/ministri i Jashtëm grek Jorgos Katrugalos bëri thirrje për shmangien e deklaratave të parakohshme, ndërsa kërkoi që policitë e dy vendeve të angazhohen për të zbardhur ngjarjen në rrugë ligjore.

Tv Klan