Shumicës i duhet 93 vota për të votuar pro shkarkimit të Presidentit të Republikës, por dokumenti politik që iu prezantua parlamentit në formën e rezolutën, mori 100 vota pro.

Pasi treguan vullnetin politik për t’i shkuar deri në fund këtij vendimi, që erdhi pas vendimit për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve, shumica i ka hapur rrugë procedurës ligjore. Burime nga ky grup parlamentar pohojnë se i kanë gati firmat e nevojshme të 36 deputetëve që kërkojnë shkarkimin e kreut të shtetit, por ende nuk i kanë depozituar në parlament.

Me depozitimin e tyre aktivizohet mbledhja e Komisionit të Ligjeve, i cili vendos për ngritjen ose jo të një Komisioni Hetimor mbi pretendimet për shkeljen e Kushtetutës nga ana e Presidentit. Nëse raporti i komisionit merr miratimin në seancë me shumicë të thjeshtë nis hetimi parlamentar.

Gjatë këtij hetimi, nëse faktohet se kreu i shtetit ka shkelur nenin 90 pika 2 të Kushtetutës, raporti në fjalë duhet të marrë 93 vota që të marrë miratimin e parlamentit. Gjithsesi, fjalën e fundit e ka Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për fajësinë apo jo të Presidentit dhe si pasojë për shkarkimin ose jo të tij.

Tv Klan