Partia në pushtet e Kroacisë, Bashkimi Demokratik Kroat, fitoi zgjedhjet parlamentare të së mërkurës, por nuk siguroi shumicën e mjaftueshme për të formuar qeverinë. Në ditët në vijim priten bisedime të  vështira me partitë e tjera për formimin e qeverisë.

Sipas rezultateve paraprake, nga 94.4% e qendrave të votimit të numëruara, partia e kryeministrit Andrej Plenkoviç fitoi 60 vende në parlamentin me 151 vende. Partia e opozitës, e cila është e afërt me Presidentin Zoran Milanoviç, doli e dyta me 41 vende dhe 26,1% të votave të marra.

Pjesëmarrja e votuesve iu afrua një niveli rekord, pasi ishte 61.83%. Zgjedhjet parlamentare u  konsideruan si një test për popullaritetin për kryeministrin Andrej Plenkoviç dhe partinë e tij, e cila ka dominuar politikën që nga pavarësia e Kroacisë. Rezultatet mund të ndikojnë edhe në politika të mëdha, duke përfshirë mënyrën se si qeveria kroate e sheh konfliktin në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. Plenkoviç mbështet Ukrainën, por opozita jo.

Partia e Plenkoviç kishte shpresuar për një mbështetje më të madhe nga qytetarët për shkak edhe të anëtarësimit së Kroacisë në BE gjatë kohës së qeverisjes së kësaj partie, futjen e euros dhe suksesin në fushën e turizmit. Por shumë janë lodhur nga skandalet e shumta të kësaj partie, por edhe situatës ekonomike në vend pasi Kroacia mbetet një nga më të varfrat në BE.

Klan News