Programi “Rudina”, në Tv Klan solli ditën e sotme disa gatime të veçanta, që vijnë nga 3 vende të ndryshme të botës: gatimet meksikane, indiane dhe japoneze.

Në studio ishin të ftuar 3 shefa kuzhina: Enkeleid Dervishi, që prezantoi  gatimet meksikane, Shaban Nina, që prezantoi kuzhinën japoneze dhe Enio Ballaci, që foli për gatimet indiane.

Shefi i kuzhinës Enkeleid Dervishi u shpreh se pasioni i tij për gatimin ka lindur krejt rastësisht, kur ai shkoi si emigrant në Angli. Aty filloi punë në një kuzhinë amerikano-meksikane, fillimisht si pjatalarës dhe më pas kaloi në kuzhinë. Pas 6 vitesh punë aty rikthehet në Shqipëri dhe së bashku me ortakët e tij hapin një restorant meksikan.

Restoranti i tyre pati shumë sukses dhe pjata po pëlqeheshin dhe kjo ishte arsyeja që ai u përkushtua edhe më tepër tek pasioni i tij.

Enkeleid Dervishi: Kjo filloi rastësisht, unë kur ika për herë të parë në Angli emigrant, puna e parë që gjeta ishte në një kuzhinë amerikano-meksikane. Fillova si pjatalarës aty dhe shumë shpejt ia mora dorën dhe kalova në kuzhinë. Punova rreth 6 vjet dhe më pas u ktheva në Shqipëri. Bashkë me Blandin dhe Fredin, të cilët janë dhe ortakët e mi. Ishte rastësia që u takuam dhe ideja ishte për të hapur një restorant meksikan, pasi në Shqipëri mungonte. Filloi pati goxha sukses, pjatat pëlqehen dhe pse jo. Aty fillova dhe iu futa dhe më thellë me thënë të drejtën sepse fillimisht ishte një punë e rastit për të bërë ca lekë, për t’i dërguar në shtëpi, siç ishte koha domethënë. Kurse tani e shohim që është një kuzhinë që ka goxha sukses dhe unë iu futa me studime, me lexime dhe besoj se e kam perfeksionuar në maksimum./tvklan.al