Lulzim Basha ka folur për mediat para nisjes së seancës parlamentare këtë të enjte ku nuk i ka kursyer akuzat për pjesën tjetër të Partisë Demokratike.

Sipas tij, grupimi Bardhi-Berisha është bërë bashkë me Ramën për amnistinë që për Bashën amnistoi të korruptuarit dhe jo ata që protestuan kundër tyre.

Po ashtu, të rakorduar e konsideron edhe çfarë ndodhi me mandatin e Olta Xhaçkës. Gjatë fjalës së tij, Basha nuk ngurroi të përmendte fjalë si “pazarxhinj”, “revolucionarë” e “buba” për pjesën tjetër të PD-së.

“Kjo është pjesë e lojërave politike, teatrit që bëhen aty në kurriz të shqiptarëve. Shikoni çfarë bëjnë kanë 5 muaj që gjoja bllokojnë Kuvendin. Kalon buxheti në 3 minuta, kalojnë vendime të rëndësishme pa diskutim pa opozitë dhe pastaj bëhen bashkë për një amnisti që liron të korruptuarit, por nuk amniston protestuesit që u ngritën kundër të korruptuarve. Pakti vazhdon ku nga njëra anë duan t’i imponohen PD. PD ka marrë vendime që qëndrojnë në themel të identitetit tonë politik të përkushtimit tonë në raport me drejtësinë. Ramës i leverdis ta bëjë pis PD dhe përdor këta pazarxhinj për t’i bërë një nder atyre dhe merr nderin tjetër në kthim që është qëndrimi gjoja i parakorduar i Olta Xhaçkës. Ajo që ndodhi me Olta Xhaçkën është totalisht e rakorduar dhe tani thonë do ta çojmë prapë në Kushtetuese. Si do ta çosh në kushtetuese? Kushtetuesja u shpreh. Në momentin që shprehet Kushtetuesja parlamenti duhet të votojë. Nuk voton parlamenti, ngrihu blloko foltoren. Për këto bllokohet foltorja. Ta bllokojnë këta pra, revolucionarët, pazarxhinjtë”.

“Bubat e Lindita Nikollës ju mashtrojnë ju dhe opinionin publik. Jo çdo bub ku leh e ka me të keq do dhe të hajë. Lehje të këtyre bubave kanë qenë për të ngrënë jo për të kërcënuar dhe kjo kuptohet tani. Të çohen të bllokojnë foltoren tani sepse me vendimin për Olta Xhaçkën jemi në krizë kushtetuese”, tha ai./tvklan.al