Partia Demokratike dhe ajo Republikane nuk kanë ende një marrëveshje mes tyre për zgjedhjet e 25 Qershorit. Edhe takimi i pasdites që kreu i republikanëve Fatmir Mediu pati me Lulzim Bashën nuk solli asnjë rezultat.

Negociatat e orëve të fundit kanë qënë të vështira mes dy aleatëve dhe nga kampet e dy partive nuk konfirmohet zyrtarisht nëse kreu i republikanëve do të jetë në listën e Partisë Demokratike, apo do të dalë me kandidatët e tij në zgjedhjet e 25 Qershorit.

Dy aleatët e vjetër ndahen sa i përket kërkesës së republikanëve për të pasur në lista të sigurta, përveç kryetarit të kësaj partie, Fatmir Mediu edhe dy kandidatë të tjerë. Kërkesë kjo, thonë burime pranë PD-së, që nuk është pranuar nga kreu i demokratëve Basha.

Por pavarësisht negociatave, që nuk dihet sesi do të përfundojnë deri në orën 12:00, kur skadon edhe afati i dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë, Partia Republikane u regjistrua si subjekt elektoral në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ç’ka i jep asaj të mundësinë për të pasur anëtarë në grupet e numërimit të votave.

Megjithatë, nga Partia Republikane nuk ka një konfirmim zyrtar nëse kjo forcë politke do të dalë me kandidatët e saj në zgjedhje, apo do të synojë deri në minutën e fundit negociatat me PD-në.

Sakaq, në negociata janë edhe agrarët e Agron Dukës, me të cilët Lulizm Basha ende nuk ka mbyllur një marrëveshje. Mësohet se Duka, krahas emrit të tij në listat e sigurta të Partisë Demokratike ka kërkuar edhe kandidatë të tjerë nga partia e tij. Gjë për të cilën bisedimet vijojnë me Lulzim Bashën.

Të vetmit aleatë me të cilët kreu i demokratëve e ka mbyllur marrëveshjen janë Dashamir Shehi i LZHK-së, demokristiani Nard Ndoka dhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, të cilët pranuan të garojnë nën siglën e PD-së duke siguruar vendin e tyre në lista.

Tv Klan