Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nga ceremonia e zhvilluar për ditën ndërkombëtare të shërbimit zjarrfikës, tha se ky shërbim po hyn në një fazë transformimi të thellë.

“Rruga jonë drejt anëtarësimit në BE, duhet ta transformojë edhe këtë shërbim, që të jetë si në vendet më të përparuara. Kemi filluar të çelim një etapë të re për mënyrën sesi duhet trajtuar ky shërbim, i cili ka hyrë në fazë transformi të burimeve njerëzore apo mbështetje me infrastrukturën e duhur me mjete e pajisje, por edhe trajtimin e duhur financiar”.

Roli i zjarrfikësve gjatë sezonit veror nuk është i rëndësishëm vetëm për shuarjen e zjarreve, por edhe shpëtimin e turistëve.

“Vitin e kaluar kemi patur më shumë se 500 raste shpëtimi, shumica turistë të huaj që duan të shijojnë në maksimum bukuritë natyrore të Shqipërisë, por që është dashur ndërhyrja për t’i gjetur, shpëtuar, evakuuar e kthyer në shtëpitë e hotelet ku qëndrojnë. E ndërsa numri i turistëve pritet të rritet, natyrshëm do të rritet kërkesa për operacione shpëtimi”.

Balla bëri të ditur se gjatë sezonit turistik, Shërbimi Zjarrfikës, Policia e Shtetit dhe Urgjenca do të operojnë me një Trupë të Ndërhyrjes Teknike në disa pika të nxehta dhe të populluara për të qenë në gatishmëri.

Tv Klan