Basha: Do t’i japim nga buxheti, do t’ia marrim pronarit që iu ka borxh
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka premtuar naftëtarëve të uzinës së Ballshit, të cilët ndodhen në ditën e 9-të grevës së urisë, se menjëherë pas ardhjes në pushtet të demokratëve, buxheti do t’u paguaj shumën prej 8 milion eurosh të 16 pagave që kanë pa marrë prej 5 vjetësh.
Lideri i opozitës tha se shuma do të jepet fillimisht nga paratë e taksapaguesve, por qeveria do të vazhdojë betejën ligjore për t’ia marrë kompanisë që ua ka detyrim, e nëse firma ka falimentuar- pronarëve të saj.
“8 milion të njihet si borxh nga shteti ndaj jush, por shteti nuk ka për t’i mbajtur vetë mbi kurriz, por do ia nxjerr nga hundët nëse është nevoja atyre që u kanë lënë në këtë gjendje”, tha Basha.
Lulzim Basha nuk premtoi zgjidhje për kthimin në punë të rafinerisë së Ballshit, por tha se gjendja financiare e uzinës do të analizohet nga ekspertët e partisë demokratike me synimin për të gjetur një investitor serioz.
“E kuptoj që synimi kryesor është futja e uzinës në funksion të plotë, por kjo nuk është fjalë gojë dhe unë nuk kam ardhur këtu t’u premtoj gjëra kot. Do kemi marrëdhënie transparente me shfrytëzuesit e naftës dhe me Bankers dhe të tjerët”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës u bëri thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë aferën që ka ndodhur në rafinerinë e përpunimit të naftës.
Tv Klan