Jemi mësuar ta shohim shpesh në panele televizive në debate të ndryshme.

Por, sot pedagogia Iris Luarasi rrëfeu në studion e “Rudina”, historinë e saj të dashurisë me bashkëshortin.

Luarasi tha se është njohur me të gjatë punës në “Radio Tirana”, ndërkohë që shtoi pa dhënë shumë detaje, se ka qenë ajo që ka ndërmarë hapin e parë.

“Unë dhe bashkëshorti im kemi qenë shokë për shumë vjet, bënim emisionet bashkë dhe pastaj gjërat erdhen dalëngadalë. Duke punuar erdhi dhe dashuria mes nesh. Dhe kam qenë unë që kam ndërmarë hapin e parë. Unë e kisha shumë të qartë që Eno nuk do ta merrte kurrë këtë si nismë, sepse e kishte shumë të rëndësishme pjesën e miqësisë dhe mendonte se nëse ndërmerte këtë hap nuk do të mund të kthehej më tek miqësia e mirë. Ndërsa unë kam qenë natyrë më pragmatiste dhe më fleksibël. Dhe mendova se pse të mos e ndërmerrja unë hapin e parë kur unë e doja shumë. Dhe funksionoi. Ne të dy kemi 14 vite bashkë, por jemi njohur 10 vite para se të martoheshim dhe më duket sikur kam gjithë jetën me Enon. Eno ka hapur radion e parë në Tiranë “Radio ime” dhe merret ende me të. Unë pa mbështetjen e Enos nuk do të isha këtu ku jam”,

tha Luarasi. 

 

E shkarkuan nga puna në radio, Luarasi: Më shkaktuan dhimbje të madhe

Ndryshe nga ç’jemi mësuar ta shikojmë, pedagogia Iris Luarasi ishte sot në “Rudina”, në një rrëfim ndryshe.

Luarasi foli për fillimet në gazetari dhe eksperiencën në Radio Tirana. Pedagogia tha se ajo dhe bashkëshorti i saj Eno në vitet 90 kishin ndërmarrë një risi dhe kishin filluar të lexonin shtypin e ditës çdo mëngjes.

Por, pikërisht suksesi i kësaj risie ishte edhe arsyeja se përse e shkarkuan nga radio në atë kohë. Luarasi tregon se kjo gjë i ka shkaktuar shumë dhimbje pavarësisht se shumë shpejt filloi punë si pedagoge.

“Unë kam studiuar për gjuhë-letërsi, por dëshira për të qenë në gazetari mendoj ndonjëherë se është dëshirë e të gjithë të rinjve. Në vitet 90 unë pata edhe fatin që të punoja me një njeri që sot nuk jeton më Arjan Dodbiba, një gazetar shumë i mirë dhe njeri i shkëlqyer. Ai u bë sebep që unë hyra në “Radio Tirana”. Unë isha studente e vitit të parë në gjuhë letërsi dhe ai bënte programin “Radio Revista Letrare Artistike”. Më thirri për të bërë disa ese që kishin lidhje me veprat që trajtonte në program dhe kështu filloi lidhja me radion. Ka qenë edhe fat pasi në atë kohë hynë radiot live. Në 95 më kanë hequr nga “Radio Tirana”. Ishte koha që unë me Enon, bashkëshortin tim të cilin e kam njohur në “Radio Tirana”, bënim një emision në mëngjes dhe një nga gjërat e veçanta që ne bënim ishte Pasqyra e Shtypit. Shkuam privatisht tek kryeredaktorët e asaj kohe dhe i kërkuam të na sillnin një kopje në mëngjes dhe kjo funksionoi në mënyrë të shkëlqyer dhe për këtë arsye unë kam ikur nga “Radio Tirana”. Kjo gjëja më ka shkaktuar një dhimbje shumë të madhe atëherë sepse në 95 unë vërtet fillova në departament, por ishte keqardhje se mendoja se ky ishte profesioni që doja të bëja dhe nuk mund ta bëja”, tha Luarasi.

/tvklan.al