Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar miratoi këtë të mërkurë gjurmën definitive të autostradës Adriatiko-Jonian, duke i hapur rrugë financimit të përgatitjes së projektit përfundimtar. Specifiket teknike të nevojshme do të bëhen nga konsulenti në bashkëpunim me ARRSH, për të azhornuar studimin e bërë me të tjera projekte në zhvillim, e për të shmangur vonesat.

Studimi i financuar nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor është kryer vetëm për segmentin rrugor Mal i Zi-Shqipëri.

Korridori rrugor Adriatiko-Jonian synon të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik dhe procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ai është pjesë e Rrjetit Kryesor të Rrugëve të Ballkanit Perëndimor dhe gjithashtu pjesë e zgjatimit të Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Korridori Rrugor Adriatiko-Jonian do të lidhë Evropën Qendrore dhe Italinë Veriore me pjesën Joniane të gadishullit ballkanik. Autostrada është përllogaritur përafërsisht 1,550 km dhe do të shtrihet përgjatë bregut lindor të deteve Adriatik dhe Jon, që përfshin bregun perëndimor të Gadishullit Ballkanik nga Trieste në Itali deri në Kalamata, Greqi.

Tv Klan