Lame: U mbyll procesi i legalizimeve për rreth 410 objekte

Është mbyllur procesi I legalizimit në zonën e Lanabregasit në Tiranë. I pranishëm ishte dhe Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame. Sipas Lames, metodika përmes një zyre të lëvizshme në territor, e cila gjatë një muaji ka qenë në këtë zonë solli legalizimin e plotë të 410 objekteve në këtë zonë kadastrale. Nga momenti i përfundimit të procesit të legalizimit, qytetarët aplikojnë në portalin e-Albania për të marrë në rrugë elektronike certifikatën e pronësisë.

“Në rastin e Lanabregasit u mbyll procesi i legalizimeve për rreth 410 objekte, ndërsa ajo që mbeti problem për këtë zonë është prania e rreth 45 objekteve pa leje të identifikuara në terren nga ana e punonjësve të Kadastrës, por që rezultojnë të mos kenë kryer vetëdeklarimin asnjëherë. Vetëdeklarimi është hapi i parë dhe i vetëm që kërkohet nga banori për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e tij për legalizimin dhe pa të cilin nuk mund të vijohet asnjë hap i mëtejshëm”, tha Lame.

Në këtë zonë ka përfunduar edhe legalizimi i një pallati të ndërtuar prej vitit 2009, por ishte braktisur nga ndërtuesi. 

“Pjesë e procesit të djeshëm në Lanabregas ishte edhe legalizimi i një pallati të ndërtuar që në vitin 2009 dhe braktisur nga subjekti ndërtues EMED Construction, pallat i cili ishte tërësisht i banuar. Nga procesi i legalizimit të tij përfituan 42 familje, banore të tij”.

Gjatë viteve të fundit në zonën e Dajtit dhe Qesarakës janë legalizuar rreth 75 pallate të braktisura nga ndërtuesit, por ka ende shumë pallate që vuajnë këtë fenomen dhe qytetarët ende vuajnë mungesën e certifikatës së pronësisë të apartamenteve që kanë blerë.

Klan News