PermbytjeLezha u përmbyt sërish, me të parat reshje të ketij viti. 3 500  hektarë tokë janë nën ujë në zonën e Zadrimës, si pasojë e shirave dhe daljes së lumit Gjader nga shtrati.

Uji ka depërtuar edhe në 150 banesa. Të gjitha shkollat janë mbyllur dhe levizja e banorëve të disa fshatrave është bllokuar, pasi uji ka mbuluar segmentet rrugore.

Kreu i komunës së Dajçit Gjergj Doçi shprehet se situata paraqitet kritike.

Reshjet kanë rritur me 30 centimetër edhe nivelin e lumit Drin, duke e çuar në kuotën maksimale.

Zona është parë nga afër edhe nga Ministri i Bujqësisë Edmon Panariti, i cili ka fajësuar mospastrimin e kanaleve kulluese për situatën e krijuar.

Banorët i kërkojnë ndihmë kryeministrit Rama. Teksa i kujtojnë se për rastet e tjera të përmbytjeve ai ka fajësuar qeverinë Berisha, i sugjerojnë të ndërhyjë dhe të lerë shfaqjet e shpeshta në media.

Vetë Rama kur ishte në opozitë, jo në pak raste e ka drejtuar gishtin tek qeveria Berisha, duke e bërë atë përgjegjëse për përmbytjet në zonën e Nënshkodrës e Lezhës.

Përmbytjet e Lezhës janë të parat me të cilat po përballet qeveria Rama. Në zonën e Zadrimës janë nën ujë 1 500 hektarë tokë dhe po kaq edhe në Kakarriq. Në bregun e Matit sipërfaqja e përmbytur përllogaritet në 300 hektarë, ndërsa në Fushë Gjorm 200 hektarë.

1500 hektarë tokë bujqësore janë përmbytur edhe në zonën e nënshkodrës, si pasojë e reshjeve të shiut. Uji ka depërtuar edhe në të paktën 7 shtëpi.

Situata është më problematike në fshatin Mali i Jushit në komunën Bushat.

Shtabi i Emegjencave, në këtë komunë, po mban kontakt të vazhdueshëm me banorët, për t’i ndihmuar në rast se do të jetë i nevojshëm evakuimi i tyre.

Burime pranë shtabit të emergjencave pranë prefekturës Shkodër, bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme ka patur shkarkime nga hidrocentrali i Vaut të Dejës për shkak të prurjeve të shumta, shkarkime të cilat janë ndalur ditën e sotme pasi prurjet në hidrocentral u ulen ndjeshëm.

 

 

ME TABELE

3 500 ha tokë të përmbytura

1500 ha në Zadrimë

1500 ha në Kakarriq

300 ha në Bregun e Matit

200 ha në Fushë Gjorm

150 banesa me prezencë uji