Tetë persona zyrtarë të Ministrisë së Brendshme u lanë në burg dhe 1 tjetër në arrest shtëpie nga gjykata pas arrestimeve të SPAK për skandalin me tenderin e uniformave të policisë me vlerë kolosale 2.8 miliardë Lekë.

Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus ka zbardhur dosjen e SPAK për prokurimet dhe tenderat që ka kryer Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara, strukturë në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Në këtë dosje që disponon Uniko, janë evidentuar edhe dy tendera të tjera të kryera nga kjo agjenci për të cilën ka patur kallëzime për shkelje të barazisë.

Përveç tenderit të uniformave të policisë, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara është kallëzuar në SPAK në Qershor 2020 edhe për një tender për blerje mishi dhe të nënprodukteve të tij për Qarkun Tiranë. Për këtë tender që kap vlerën e 5 milionë 30 mijë Lekëve janë kallëzuar të gjithë anëtarët e kësaj strukture.

Por në Korrik 2020 është bërë një tjetër kallëzim ndaj Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, që varet nga Ministria e Brendshme, kësaj radhe nga një agjenci që e akuzon për shkelje të barazisë për tenderin për shërbimin e lavanderisë dhe të hotelerisë për pacientët e hospitalizuar në Qendrën Universitare Nënë Tereza. Ky tender me vlerë 9.2 milionë Euro do të ofronte shërbim për 4 vite.  /tvklan.al