Nga Blendi Fevziu – Ben Blushi sapo ka bërë publike diçka që e prisnin të gjithë. Në sallën e parlamentit në një moment rutinë, ai ka deklaruar se së bashku me deputeten Mimoza Hafizi largohen nga grupi parlamentar i Rilindjes për të ndërtuar një projekt të ri. Blushi nuk ka folur për PS, por ai ka bërë kujdes që grupin socialist ta etiketojë si “Rilindje”, duke bërë diferencën me partinë ku ka milituar deri sot në mëngjes.

Lëvizja e Ben Blushit nuk ishte e papritur. Që prej krijimit të qeverisë ai ka qenë një kritik i saj dhe i fenomeneve negative që e kanë shoqëruar atë. Falë llogjikës së fortë dhe oratorisë që e karakterizon ai i ka dhënë kritikave në parlament më shumë ngjyrë dhe më shumë besueshmëri se sa shumica e deputetëve të opozitës. Ai ka qenë një kontestues i fortë dhe i konsiderueshëm brenda vetë mazhorancës. Ideja e krijimit të një partie të re, është komentuar disa herë, por po kaq janë komentuar tentativat për një pajtim të tijin me Ramën ose një kthim i riformatuar i tij në lidershipin e PS. Më e përfolur kjo ishte në korrik, kur tensioni Rama – Meta, e riafroi Blushin me Ramën në qëndrim, por edhe kjo zgjati shumë pak.

Blushi më në fund e ka bërë publik largimin dhe po kështu ka paralajmëruar krijimin e një partie të re. Burime të Opinion.al thonë se Blushi ka kohë që ka nisur punën për krijimin e partisë së re dhe se shpallja e saj do të bëhet në fund të muajit Tetor ose në fillim të nëntorit. Me gjasë ai ka pritur këtë kohë për të qenë në afër zgjedhjeve dhe për të përfituar nga fryma kontestuese me qeverinë e cila e ka të vështirë të shkojë deri tek opozita. Pra me gjasë ai po synon socialistët e zhgënjyer, ose votuesit e pavendosur që kanë vërejtje për qeverisjen. Gjuha e tij është e tillë dhe mbështetet më shumë tek barazia sociale, lufta kundër varfërisë dhe beteja me oligarkinë. Edhe pse të treja këto kanë qenë ndërmarrje të dështuara për politikën shqiptare këto 25 vjet.

Krijimi i partisë së re të Ben Blushit, pavarësisht emrit që do ketë shoqërohet me një seri pikëpyetjesh? Një seri ta panjohurash, nga përgjigja e të cilave mund të përftohet një realitet i ri politik në vend.

E para sa do arrijë Blushi të kanalizojë në votë pakënaqësinë që ka në Shqipëri për qeverisjen dhe sidomos atë pjesë të të pakënaqurve që për shumë arsye nuk votojnë për opozitën?

E dyta, sa do arrijë Blushi të krijojë një parti të mbështetur tek fryma dhe jo tek organizimi. Një parti të mbështetur tek besimi për ndryshim dhe sidomos rikthimi i besimit të të rinjve. Në Europën e sotme partitë tradicionale me struktura të konsiliduara u dërrmuan nga partitë e mbështetura nga një frymë populiste dhe nga një filozofie e re politike. Cipras në Greqi, Bebe Grillo në Itali, Podemos në Spanjë dhe partitë më ekstremiste në Francë, Britani dhe Gjermani, kanë sjellë revolucione elektorale pas dekadash stanjacion. Sa do arrijë Blushi t’ju ngjajë atyre dhe mbi të gjitha, sa është Shqipëria në një situatë të ngjashme me to.

E treta, cili është synimi i partisë së tij, thjeshtë objektivi për t’i hequr PS disa deputetë, gjë që mund të arrihet gjithsesi, apo ajo e krijimit të një grupimi real politik që tenton ndryshim.

E fundit dhe jo më e parëndësishmja, është konfigurimi i koalicioneve parazgjedhore në Shqipëri. Një aleancë e PS me LSI dhe PDIU, para zgjedhjeve, do jetë gjithnjë problem për një forcë të re politike. Edhe pse kjo nuk duhet të frenojë as Blushin dhe as protagonist të tjerë ta sfidojnë atë.

Këto janë disa nga pikëpyetjet, nga përgjigja e të cilave, siç e thashë më lart, do varet suksesi i partisë së re të Ben Blushit e pse jo edhe kompozimi i ri politik i parlamentit pas zgjedhjeve të 2017./tvklan.al