Ajo është një piktore e talentuar që nuk pikturon vetëm në telajo, por edhe në qelq. Dardane Hadri ka një lidhje shumë të veçantë me natyrën dhe me peizazhin kryesisht, ndaj ka vendosur t’i quajë të gjitha punimet e saj “Kujtime të peizazhit”.

Që prej vitit 1995 ajo jeton në Londër, ku ka mbaruar edhe studimet për mësimdhënie dhe aktualisht është mësuese arti atje. Sot ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku tregoi më shumë për dashurinë e madhe që ka për artin.

“Unë kam pasur fatin që fëmijërinë ta kaloj në Pejën e bukur. Babai im, Ali Hadri më ka dhuruar dashurinë për arsimin. Ndërsa nëna ishte talent i posaçëm dhe dashurinë për artin e kam prej saj. Pikturat në gota qelqi fillimisht i kam punuar për miqtë e mi si dhurata, por vitet e fundit kam shumë porosi dhe vendosa ta provoj këtë teknikë. Është kënaqësi e posaçme sepse mënyra se si aplikohen ngjyrat është shumë delikate dhe kur reflektohen në dritën e diellit krijojnë një iluzion dyjzimi ngjyrash. Mundohem që në fragmente të pikturave të mia të prezantoj peizazhin e Grykës së Rrugovës. Në varësi të pijeve që hedhim në gotë ndryshojnë edhe ngjyrat e pikturës”, tha Dardane Hadri.

Puna e piktores nga Kosova është vlerësuar edhe nga familja mbretërore në Londër, madje Princi Charles e kishte ftuar atë zyrtarisht pasi kishte parë projektet e saj.

“Kisha ftesë zyrtare prej Princit për shkak se bashkëpunoj ngushtë me akademinë “Royal Academy Award” dhe me galeri prestigjioze. Kam punuar në një projekt, punë të cilat janë ekspozuar në një rrugë shumë të frekuentuar në Londër dhe më ftuan. Ishte emocion shumë i veçantë sepse mu vlerësua puna. Princi ishte shumë i mirë, unë mendova se do të ishte formal, por ai ishte shumë i shoqërueshëm. Kemi biseduar për 15 minuta dhe më ka lënë përshtypje të mira. Është vlerësimi i punës time dhe për këtë ndihem shumë mirë”, tha piktorja./tvklan.al