Pipero: Mbi 60% e popullsisë rrezikon të ekspozohet ndaj virusit nëse nuk respektohen masat

Pipero: Mbi 60% e popullsisë rrezikon të ekspozohet ndaj virusit nëse nuk respektohen masat

22:31 24/03/2020

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero deklaroi këtë të martë se nëse qytetarët nuk respektojnë masat e marra nga qeveria, atëherë mund të rrezikojmë që 60% e popullsisë të jetë e ekspozuar përballë koronavirusit.

Pipero u shpreh gjatë emisionit “Opinion” se nëse qytetarët respektojnë maksimalisht rregullat e reja, atëherë në rastin më të keq do të kishte rreth 30%-40% të infektuar me koronavirus.        

“E kam thënë që pas dy rasteve të konfirmuar fshihen 10-15 raste të tjera. Ne ende nuk e njohim gjendjen mirë. Ajo që mendoj është se sa përqind e popullsisë do bjerë në kontakt me virusin jo do infektohet apo do sëmundjen varet shumë nga respektimi i masave që ka marrë qeveria. Nëse respektohen masat do thosha që në rastin më të keq do të kishim ekspozim 30-40% të popullsisë. Nëse masat nuk respektohen do kishte një ekspozim mbi 60% të popullsisë. I bie që të jetë dyfish i ekspozuar nga virusi”, tha Pipero.

Mjeku u shpreh se koronavirusi nuk përjashton asnjë moshë dhe të gjithë janë të rrezikuar. Pas vdekjes së dy personave të fundit në Shqipëri, Pipero u shpreh se ata mund të kishin diabet të fshehur, çka u dha komplikacionet e rënda.

Mjeku theksoi se moshat më të rrezikuara janë të moshuarit dhe ata që kanë probleme kronike, megjithatë edhe të rinjtë nuk duhet ta konsiderojnë veten të paprekshëm nga COVID-19.

“Thënë ndryshe është ajo që kam përmendur, nga ky virus askush nuk përjashtohet. Definitivisht asnjë nuk është i përjashtuar, komplikacionet mund të ndodhin edhe në moshat e reja. Të përpiqemi maksimalisht duke u mbrojtur duke mos u ekspozuar. Kolegët në Itali kanë konstatuar se moshat e reja ndoshta janë më të ekspozuara dhe ndoshta marrin një njësi të madhe virusesh në njësinë e kohës”, tha Pipero. /tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi