Emisioni “Stop” në Tv Klan u ka ardhur në ndihmë dy të moshuarve në fshatin Rad në Gjirin e Lalzit, banesa e të cilëve u dëmtua rëndë nga tërmeti i 26 Nëntorit.

Dy të moshuarit, Besim dhe Bajame Gjergji, po jetonin në plastmas në oborrin e shtëpisë së tyre, pasi asnjë përfaqësues shtetëror nuk kishte shkuar për t’i takuar.

Për këtë arsye, ata kërkojnë minimalisht një çadër për të mos fjetur në qiell të hapur.

Bajame Gjergji: Në gjumë ishim të dy, për t’u ngritur nuk mundeshim të ngriheshim as njëri as tjetër. Vetëm se Zoti na ka ruajtur. Asnjeri nuk ka ardhur të na shikojë. Kam shkuar një ditë në Manëz se më thanë që regjistrohen atje shtëpitë që nuk janë të banueshme. Shkova, e regjistrova, u regjistrova dhe për çadër.

Besim Gjergji: Të parët jeni ju që keni ardhur, s’ka ardhur as Bashkia, as Prefekt. Të na vendoset një çadër.

Bajame Gjergji: Për t’u ushqyer na kanë sjellë vetëm një herë shoqata.

Gazetarja u interesua pranë Njësisë Administrative Manëz për të marrë masa për dy të moshuarit.

Gazetarja: Familja Gjergji është një nga ato familje që ka regjistruar emrin e saj si familje e dëmtuar dhe që ka nevojë për çadër, për ushqime.

Administratori Manëz: Çadrën sapo e kanë dërguar ata djemtë atje. E kemi çu, ia kemi heq dikujt tjetër, që s’ka emergjencë, me një shtëpi tepër në kushte normale, ia kemi marrë ia kemi dërgu kësaj familje, që the ti. Për ushqime, do t’i furnizojmë, nga ora 3-4 pasdite do jenë gati besoj.

Pas komunikimit me administratorin e Njësisë Manëz, u sigurua ngritja e çadrës për çiftin Besim dhe Bajame Gjergji.  /tvklan.al