Një zonjë nga Fieri është mashtruar nga një person i huaj në Facebook. Një mesazh, e bënte atë fituese të plot 100 mijë Eurove.

“Na dhanë një numër kontakti në WhatsApp. Unë kam komunikuar me zonjën. Kemi shkëmbyer mesazhe ku më ka thënë që duhet të paguaj një shumë prej 2 mijë Eurosh ku unë duhet të bëja dokumentet përkatëse që të fitoja këtë shumë”, tha zonja.

Por, që të merrte certifikatën e çmimit, duhej të dërgonte para herë pas here me anë të transfertave. Personi, që sipas prefiksit dhe adresës së transfertave është një shtetas nigerian, i dërgonte disa emra dhe të dhëna dhe zonja bënte transferta.

“Kam mbyllur dhe më mbrapa shumë të pakta sepse e kuptova që ishte mashtrim. Më dërgon edhe sot më ngacmon. Më thoshte që je vazhdimisht fituese por kërkonte që të paguaja komisionin e bankës”, tha zonja

Në total ajo dërgoi 1800 euro derisa kuptoi se kishte rënë pre e një mashtrimi. Nga numri i shpeshtë i transfertave, asaj i është bllokuar karta e identitetit.

“Ishte mashtrim gjithçka”, tha zonja.

Po të shohim profilin në Facebook, me të cilin ka komunikuar zonja, aty publikohen video me para dhe lojëra absurde, ku njerëzit duhet thjesht të komentojnë dhe të shpërndajnë postimin.

Në këtë mënyrë mund të fitojnë 180 mijë euro, apo 200 mijë euro. Komentet janë të shumta , duke rënë pre e mashtrimit. Pas interesimit të “Stop” shtetasi që e ka është një person në Nigeri, i cili josh shqiptarët, por në fakt është një rrjet i mirëorganizuar mashtrimi.

Eksperti i internetit dhe teknologjisë kompjuterike, Tomi Kallanxhi, jep disa këshilla, duke nënvizuar, se nuk duhen dërguar para përmes transfertave të shpejta, por vetëm përmes bankave.  Kallanxhi thotë, se raste të tilla as nuk mund të zgjidhen, pasi nuk mund të arrestosh dikë në Nigeri.

“Në përgjithësi shumica e këtyre njerëzve janë të painformuar nga interneti. Duhet që t’i shikoni foton e profilit. Ta hidhni edhe në “google image” dhe ta shikoni se kush është ky personi në të vërtetë sepse në shumicën e rasteve janë profile false. Nëse janë transferta nga vendet e Afrikës, asnjëherë nuk mund të dërgojmë para nëpërmjet metodave të transfertave të parave sepse nuk janë të sigurta”, tha specialisti./tvklan.al