SHBA pritet të njohë genocidin e Perandorisë Osmane ndaj armenëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, JoeBiden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Ky është komunikimi i parë i drejtpërdrejtë midis udhëheqësve të dy vendeve aleate të NATO-s, raportet e të cilave janë dobësuar shumë.

Telefonata e shumëpritur ndodhi mbi tre muaj pas inaugurimit të Bidenit, një sinjal se ai nuk do të mbajë të njëjtin kurs ndaj udhëheqësit turk, sikurse paraardhësi i tij DonaldTrump.

Më 24 Prill, në Ditën Përkujtimore të masakrës ndaj armenëve, Biden pritet të deklarojë se vrasja dhe dëbimi i armenëve në Perandorinë Osmane më 1915 ishte genocid.

Është pothuajse e sigurt se ky veprim do ta zemërojë Ankaranë dhe do të dëmtojë më shumë marrëdhëniet mes dy vendeve.

Agjencia Reuters, duke ju referuar burimeve të saj, raportoi se Biden i bëri me dije Erdoganit se e ka në plan të njohë masakrën ndaj armenëve si genocid. Në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë kjo çështje nuk u përmend.

“Presidenti Biden bisedoi me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe tregoi interesin e tij për marrëdhënie konstruktive bashkëpunimi dhe menaxhim efektiv të mosmarrëveshjeve“, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

Njoftimi shton se të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen në kuadër të samitit të NATO-s në muajin Qershor. Ndërkaq në një njoftim të Presidencës turke thuhet se Erdogan dhe Biden ranë dakord për të përmirësuar bashkëpunimin.

Klan News