Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ia ka kaluar stafetën aktorëve politikë për të gjetur zgjidhjen për daljen nga ngërçi politik që ka kapur vendin që prej zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive maqedonase dhe shqiptare, Ivanov sqaroi se mandatin për formimin e qeverisë do ta marrë ai kandidat që formon shumicën qeverisëse.

Ivanov:

“Mandatin për formimin e qeverisë do ta marrë ai kandidat që do të më dëshmojë se ka formuar shumicën në Kuvend. Maqedonia duhet të dalë nga kjo situatë duke pasur parasysh që është vend unitar. Ju garantoj që do të respektoj kushtetutën.”

Takimet e njëpasnjëshme të kreut të shtetit me partitë politike nuk çuan në caktimin e një mandatuesi, siç kishte shpresuar lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev. Dështimi i bisedimeve mes Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit, pasi ky i fundit nuk pranoi kushtet e vendosura nga shqiptarët, pritej që mandati t’i kalohej Zoran Zaevit. Kreut i LSDM-së, nuk e ka shprehur publikisht qëndrimin për kushtet e shqiptarëve, duke theksuar se pret fillimisht mandatin qeverisës.

Pas unifikimit të programeve partiake edhe me ndërmjetësimin e qeverisë së Shqipërisë, aktorët politikë shqiptarë janë ta palëkundur në kushtet e vendosura, për dygjuhësinë dhe mandatin e prokurorisë speciale. Nëse asnjë palë nuk formon shumicën, siç e kërkon presidenti Ivanov, Maqedonia do t’i drejtohet sërish kutive të votimit për zgjedhje të jashtëzakonshme, një skenar ky që nuk rekomandohet nga ndërkombëtarët./ TV KLAN