Presidenti Ilir Meta është vlerësuar me çmimin “Politikani ndërkombëtar i vitit 2018” nga Fondacioni “Foedus”. Në ceremoninë e mbajtur në Romë ditën e premte, kreut të shtetit shqiptar iu akordua ky çmim me motivacionin “Për promovimin dhe forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë mes Shqipërisë dhe Italisë”.

Presidenti i Fondacionit  “Foedus”, Mario Baccini, duke i dorëzuar çmimin Presidentit Meta theksoi, se ky vlerësim u jepet çdo vit atyre personaliteve italiane dhe të huaj, të cilët kanë spikatur në fushat e tyre.

Presidenti Meta u shpreh ndër të tjera se “ky çmim u shkon mijra shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali. Ky çmim u shkon arbëreshëve tanë të dashur të cilit lidhin dy popujt tanë në mënyrë unike prej 500 vjetësh, por edhe mijëra italianëve që punojnë dhe jetojnë në Shqipëri prej vitesh. Edicioni i 18-të i Fondacionit Tuaj titullohet “Një dhuratë për një buzëqeshje” ndaj dhe unë duke ju falënderuar për vlerësimin dua T’ju kujtoj thënien e një shqiptareje të madhe, Shën Nënë Tereza, e cila ka thënë se paqja fillon me një buzëqeshje”, theksoi Presidenti Meta.

Çmimi i Fondacionit “Foedus” iu akordua gjithashtu edhe UNICEF-it, NEUROMED Italia, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë italiane, Franco Gabrielli, si dhe këngëtarit të famshëm italian Fausto Leali. /

tvklan.al