Raportim Live
13:12, 26 Korrik 2024

Deputeti Dashnor Sula kërkoi ndalimin e seancës deri në pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij marrëveshja e sotme është “martesë” mes PS e PD.

“Sot është një ditë jashtëzakonisht e veçantë. Një ditë celebrimi i martesës mes PS dhe PD. Mendoj që nuk ka logjikë dhe moral që në këtë ditë kaq të shenjtë, kaq të rëndësishme të mungojë kabineti qeveritar, të mungojë kryeministri, ë mungojnë deputetët, dëshmitarët e kësaj ceremonie martesore. Prandaj në cilësinë si drejtuese e kësaj seance shumë të rëndësishme, do të kërkoja që të ndërpritej seanca për pak minuta, ndoshta edhe disa orë, të na vinte prezent kryeministri i Republikës së Shqipërisë që është “babai” jonë dhe i gjithë deputetëve dhe të bëjmë një debat serioz se nuk është diskutim i thjeshtë”, tha Sula.

13:11, 26 Korrik 2024

Dogjani: Deputetët kanë frikë, të votohet në fshehtësi për Kodin Zgjedhor

Deputeti demokrat Asllan Dogjani pati propozimin e tij që votimi të bëhet i fshehtë. Sipas tij, shumë deputetë të mazhorancës duan që të votojnë në fshehtësi pasi kanë frikë të reagojnë në lidhje me këto ndryshime.

“Kërkova dhe bëra një propozim pikërisht për ligjin që ka të bëjë në ndryshimet në Kodin Zgjedhor që votimi në fund të bëhet i fshehur. Nga biseda që kam pasur me deputetë të opozitës dhe kryesisht të mazhorancës, disa prej tyre kanë shprehur frikë dhe pamundësinë për të reaguar në lidhje me këto ndryshime. Pikërisht për këtë kërkojnë që të bëhet votimi i fshehtë që Edi Rama të mos marrë peng deputetët e tij, të mos marrë peng demokracinë dhe të mos marrë peng Shqipërinë. Propozoj që votimi të bëhet i fshehur”, tha Dogjani.

13:10, 26 Korrik 2024

Me 106 vota pro, miratohet projektligji për ndryshimet në Kodin Zgjedhor (Zhvillimet minutë pas minute)

Me 106 vota pro, miratohet projektligji për ndryshimet në Kodin Zgjedhor (Zhvillimet minutë pas minute)

Seanca parlamentare vijon edhe këtë të premte ku në fokus të diskutimeve janë ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Kujtojmë se mazhoranca dhe opozita janë dakordësuar në parim për draftin e ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.

Sipas propozimit, në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë edhe qytetarët me banim jashtë vendit.

Në draftin konsesual, palët janë dakordësuar gjithashtu që listat të jenë 1/3 e mbyllur dhe 2/3 e hapur.

Mazhoranca është tërhequr nga herësi prej 7 mijë votash, ndërsa nuk ka pranuar propozimin e opozitës për koalicione parazgjedhore.