Rama: Merr fund koha e të paprekshmëve

30 ditë zgjat e gjithë procedura që do të ndiqet nga të gjitha strukturat e ngarkuara për zbatimin e ligjit special AntiKÇK për të provuar nëse pasuritë e të dënuarve apo të akuzuarve për krime të renda është burim i këtyre veprave penale apo jo.

Kryeministri zgjodhi të japë mesazhet për forcën goditëse të kësaj nisme ligjore në një takim me forcat RENEA ku të pranishëm ishin dhe anëtarët e SPAK-ut. Ai siguron që duke nisur nga e hëna e 3 Shkurtit, koha e të paprekshmëve do të marrë fund.

Garanci për suksesin e kësaj lufte thotë se është dhe Struktura e Posaçme Antikorrupsion.

Veç akuzave të forta për gjyqtarët e korruptuar duke përmendur me emër të përveçëm gjyqtaren që liroi Endrit Doklen, Rama sqaron se çfarë përmban paketa për këtë kategori togash të zeza.

Me asetet e sekuestruara, kryeministri thotë se së pari do të shkojnë për rritjen e pagave të uniformave blu.

Në paketën AntiKÇK është parashikuar dhe një njësi speciale e quajtur Operacioni Forca e Ligjit. Pjesëtarët e kësaj njësie trajnohen prej 6 muajsh. Ata nga e hëna do të dalin në terren për të zbatuar sëbashku me SPAK-un ligjin special.

Tv Klan