Qeveria e Kosovës ka nisur procedurat për modifikimin e Ligjit të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, bazuar në ndryshimet për të cilat presidentët Thaçi e Vujanoviç ranë dakord javën e kaluar.

Kryeministri Ramush Haradinaj njoftoi se qeveria kishte tërhequr nga kuvendi projektligjin e vitit 2015 për të bërë ndryshimet.

“I drejtuam Kuvendit kërkesën për të tërhequr ligjin për marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, për të inkorporuar atje marrëveshjen e dy presidentëve.”

Haradinaj tha se pr/ligji i ndryshuar do ti kthehet Kuvendit brenda ditës, për tu hedhur më pas në votim brenda dy ditëve. Sipas asaj që ranë dakord presidentët e Kosovës dhe Malit të Zi më 16 shkurt, dy vendet do të krijojnë një ekip të përbashkët që do të monitorojë në terren, ndryshimet e vijës kufitare në zonat e kontestuara të marrëveshjes së 25 gushtit 2015.

Zonat që do të rishikohen janë ato në sektorët kufitarë të Qakorrit dhe Kullës së Zhlebit, në të cilat Haradinaj ka akuzuar qeverinë pararendëse të Isa Mustafës se i ka falur territor Malit të Zi. LDK është shprehur në favor të marrëveshjes së ndryshuar ndërsa Vetevendosje tha se do të votojë kundër saj.

Tv Klan