Prej 10 Shkurtit ka nisur në Tv Klan, emisioni “Aromë Dreke”, i cili transmetohet çdo ditë në orën 11 nga e hëna në të shtunë. Shefi i kuzhinës Arvin Kita dhe një ndër aktoret më të dashura shqiptare, Mariana Kondi sjellin për publikun gatime tradicionale dhe moderne, ku nuk mungon argëtimi dhe humori.

Marjana Kondi dhe Arvin Kita ishin të ftuar këtë pasdite në emisionin “Rudina”, në Tv Klan, ku treguan detaje të reja rreth programit të tyre të gatimit.

Arvin Kita: Japim zgjidhje për amvisat dhe çdo gjë e japim në formën e humorit, me sportivitet sepse kuzhina kështu duhet të kalojë, nuk duhet të kalojë si një hall, por duhet të kalojë si një gjë me merak. Ndërthurja ka qenë e bukur besoj unë dhe gjetje e mirë e vetë produksionit sepse është një aktore jo e humorit, por një aktore do thoja unë, e kompletuar, në film, në aktrim, sigurisht edhe në humor, por edhe në teatër kombëtar. Për mua është një kënaqësi shumë e madhe, që lidhen dy arte. Unë s’do e konsideroja gatimin art, siç është arti pamor apo arti skenik, por është diçka që ka të bëjë me shijet e njerëzve. Japim një zgjidhje të mirë duke u bazuar tek tradita, e cila përfaqësohet nga Marjana, që zgjon dhe gërvisht atë memorien e nënave dhe gjysheve tona dhe gjen një mbështetje të saktë besoj nga unë, duke dhënë zgjidhje me përbërës të rinj, me kuzhinë të evoluar dhe me shije pak më të veçanta, ndërkohë që ne i kemi, por vetëm duhet t’i interpretojmë dhe t’i ndërthurim.

Për aktoren e humorit, gatimi është një antistres, diçka që të frymëzon dhe të jep energji.

Marjana Kondi: Mbas të 40-ve mendoj se çdo femër e ka një kënaqësi shumë të madhe gatimin. Gatimi është një antistres, është një diçka që të frymëzon dhe të jep energji. Është kot disa që thonë: Obobobo po shkojmë tani të gatuajmë drekën, nuk është absolutisht ajo gjë./tvklan.al