Prokurorë të Krimeve të Rënda nga Tirana do të udhëtojnë të enjten drejt Katanias, për të marrë në pyetje tre të arrestuar të grupit të Habilajve.

Lajmi bëhet i ditur nga portali italian Meridionews, që shkruan se mes personave që do të merren në pyetje është edhe Moisi Habilaj, i afërm i ish-ministrit Tahiri.

Grupi i hetuesve kryesohet nga prokurori i çështjes Besim Hajdarmataj dhe pjesë e tij janë dhe Vladimr Mara dhe Dritan Prençi. Përmes këtij udhëtimi synohet marrja e informacioneve të vlefshme për hetimet që kryen në Shqipëri. Prova kryesore që do të marrin hetuesit shqiptarë janë dëshmitë e Nazer Seitit, Meridian Sulajt dhe Moisi Habilajt. Këta dy të fundit ndodhen në një burg në Katania, ndërsa Seiti për arsye të cilat nuk shpjegohen mbahet në një burg në Romë. Dëshmia e këtyre personave do të merret para datës 31 Maj, ditë kur dosja italiane ndaj grupit të “Habilajve” do të shkojë në gjykatë. Seanca e parë do të jetë paraprake, pasi të pandehurit do të njihen me akuzat dhe ata do të mbajnë një qëndrim për to. Ndërsa gjyqi në themel pritet të nisë disa muaj më vonë.

Saimir Tahiri u vu nën hetim nga Prokuroria shqiptare, pasi Meridionews publikoi disa përgjime të vëllezërit Moisi dhe Florian Habilaj, ku përfshihej edhe emri Saimir.

Dyshime mbi përfshirjen e ish-ministrit në trafikun  tyre të drogës lindin edhe nga automjeti tip Audi të cilin ish-ministri tha se ua kishte shitur Habilajve. Rezulton se ata e kanë përdorur automjetin në disa udhëtime, me qëllim që të mos binin në gjurmët e policisë.

Të hënën Saimir Tahiri u lirua nga arresti i shtëpisë për tu gjykuar në gjendje të lirë. Vendimi u mor nga po e njëjta trupë e Apelit të Krimeve të Rënda që i zhbllokoi pasaportën Dhjetorin e vitit te kaluar.

Tv Klan