Peticion për shkarkimin e ministrave Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro

Shoqëria civile dhe qytetarët kanë zhvilluar këtë pasdite një tjetër protestë kundër qeverisë, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë plazhin e Potamit në Himarë, ku një skaf me drejtues Arjan Tase përplasi për vdekje një vajzë 7 vjeçe, e cila zgjati rreth 1 orë. Protesta e kësaj të hëne vjen 4 ditë pas protestës së zhvilluar para Ministrisë së Brendshme nga qytetarët, të cilëve iu bashkuan PD dhe  Partia e Lirisë.

Protestuesit fillimisht u mblodhën para Ministrisë së Brendshme dhe kanë kërkuar drejtësi për Jonadën dhe shkarkimin e ministrave Bledi Çuçi dhe Mirela Kumbaro. Protestuesit kanë theksuar se vrasja e 7-vjeçares është një kronikë e paralajmëruar.

Në protestë ka folur dhe një i afërm i familjes së 7-vjeçares, i cili është shprehur se “Jonada i ka sot të gjithë shqiptarët prindër”.

Qytetarët kanë hedhur bojë të kuqe në mënyrë simbolike për vdekjen e 7-vjeçares në Potam të Himarës.

Më pas protestuesit kanë marshuar drejt Kryeministrisë. Në shkallët e Kryeministrisë u ulën disa fëmijë të cilët mbajtën pankarta ku kërkonin “Drejtësi për Jonadën” si dhe mundësi për të pushuar të qetë në brigjet e Shqipërisë.

Protestuesit kanë theksuar se do të zhvillohet një peticion në gjithë Shqipërinë për t’i kërkuar Kryeministrit Edi Rama që të shkarkojë nga detyra ministrat Mirela Kumbaro dhe Bledi Çuçi.

Për t’i shprehur zemërimin dhe kërkesat ata telefonuan live vetë Kryeministrin Edi Rama.

Të pranishëm në protestë ishin përfaqësues të partive politike, por ndryshe nga hera e kaluar munguan krerët e partive opozitare.

Nuk është caktuar një datë për protestën e radhës, por protestuesit kanë theksuar se do të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për Jonadën.

Protesta nisi në orën 19:30 dhe u mbyll në mënyrë paqësore në orën 20:40./tvklan.al