Të turpshme e konsideron Kryeministri Edi Rama protestën e kësaj të shtune të opozitës. Në një reagim në Twitter, gjatë kohës që kreu i PD po mbante fjalimin përmbyllës të protestës, Kryeministri tha se me veprimet e saj, opozita po rrit çdo ditë faturën që do t’i presë populli në zgjedhjet e 30 Qershorit.

Nëse kjo ishte protestë e madhe atëherë filxhani është shkencë, Saliu është astronom dhe pakica është shumicë! Në fakt kjo s’ishte as e madhe, as e denjë po thjesht e turpshme për pdLSI! Këta humbës të pashërueshëm po rrisin çdo ditë faturën që do u presë Sovran në 30 qershor

“,

 shkruan Kryeministri në Twitter.

Për 4 orë, opozita protestoi sërish këtë të shtunë, fillimisht para Kryeministrisë e më pas tek Parlamenti. Edhe në këtë protestë nuk munguan aktet e dhunës dhe përplasjet me policinë.

Protestuesit hodhën tymuese, flakadanë e kapsolla në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës e ujë me presion.

Të plagosur mbetën si efektivë policie ashtu dhe protestues. 5 punonjës policie u dërguan në Spitalin e Traumës me dëmtime kryesisht nga lëndët piroteknike dhe sendet e forta. Ndërsa Partia Demokratike deklaroi se 15 protestues mbetën të plagosur./tvklan.al