Dy javët e fundit u raportuan negociata të mundshme mes dy forcave më të mëdha politike në vend, PS dhe PD. Pas një “kaosi 5 mujor parlamentar”, dukej si një dakordësi thuajse e pamundur. Por sot më 15 Mars 2024, mbase dhe jashtë parashikimeve, dy grupet parlamentare miratuan me konsensus të plotë në Konferencën e Kryetarëve ngritjen e dy komisioneve hetimore. Ka qenë kjo e fundit kërkesa e vazhdueshme e opozitës, e madje për 8 komisione të tilla. Në Nëntor të 2023-it, mazhoranca depozitoi në Kuvend nismën për disa shtesa dhe ndryshime në funksionimin e ligjit për Komisionet Hetimore.

Kur nisi dialogu politik?

Para 4 ditësh, presioni i diplomacive të huaja në vendin tonë prodhoi një takim të parë mes Lindita Nikollës, Gazment Bardhit, Bledi Çuçit dhe 2 krerëve të grupeve të vogla parlamentare Dashamir Shehi e Mesila Doda.

I Dërguari me Punë i SHBA-së në vendin tonë, David Wisner takoi personalisht kryeparlamentaren për t’i përcjellë mesazhin se parlamenti duhet të rikthehet në normalitet. Në këto përpjekje është përfshirë edhe OSBE/ODIHR-i, specifikisht për reformën zgjedhore. Edhe Ambasada Amerikane në Tiranë e BE-ja zyrtare, bënë thirrje për normalizimin e situatës në Kuvend.

Sipas kreut të grupit të PS Bledi Çuçi, ka pasur konsensus të plotë mes palëve për ngritjen e 2 komisioneve. Përkatësisht, ai për sistemin e të dhënave TIMS dhe për shërbimet në Shëndetësi. Te këto të fundit, siç sqaroi Çuçi, përfshihen “Sterilizimi” e “Check up-i”. Ai bëri po ashtu me dije se ka pasur dakordësi mes palëve për një platformë brenda Komisionit të Ligjeve.


Gjithashtu ramë dakord dhe morëm një vendim që të mandatojmë Komisionin e Ligjeve për të ngritur një platformë për të krijuar një dialog politik për ligjet që kërkojnë 3/5 e votave dhe që kanë të bëjnë me integrimi europian. Me numër të barabartë anëtarësh, nuk ka të drejtë vetoje. Ka konsensus”, shpjegoi kryetari i grupit mazhoritar.

Të njëjtën retorikë mbi pikat që u diskutuan në mbledhje, pati edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi.


“Nuk është çështje e Konferencës së Kryetarëve, në ditët në vijim grupet parlamentare do vendosin për të dyja çështjet. Në mbledhje të grupit do merren vendimet për anëtarët. Nuk do ndalem te projeksioni i kolegëveqë do jenë në komisionet përkatëse. Sot ka një dakordësi për të kthyer normalitetin në veprimtarinë e Parlamentit. Detaje të tjera do keni mundësi t’i mësoni në ditët në vijim”, tha Bardhi.

Ai theksoi se “çdo denoncim që ka paralajmëruar do bëhet, në komision apo jashtë tij” si dhe “mbledhjet e komisioneve do jenë të hapura.”

A ka një listë dëshmitarësh për komisionet?

Gazment Bardhi: Nuk ka nisur ende veprimtaria!

Po ashtu i pyetur se çfarë synon të arrijë komisioni për shërbimet në shëndetësi, përderisa SPAK po heton çështjen e “Sterilizimit”, Bardhi u shpreh: Së pari nuk ka asnjë pengesë kushtetuese që për çështje që i heton Prokuroria t’i hetojë edhe Kuvendi, sepse qëllimet janë të ndryshme.

Tanimë pritet të shihet puna e komisioneve të cilat sapo janë miratuar dhe rezultatet. Ndërkohë, më 21 Mars përfundon afati i Komisionit të Reformës Elektorale./tvklan.al