Partia Socialiste reagoi në lidhje me artikullin e publikuar në revistën “Mother Jones” duke thënë se shkrimi i prestigjiozes amerikane përveçse vërtetoi denoncimet e selisë rozë se Partia Demokratike ka lidhur kontrata lobimi  me para të dyshimta përpara zgjedhjeve të 25 qershorit, nxori  në dritë të dhëna te reja qe lidhin Lulzim Bashën me Kremlinin. Në një dalje për mediat Taulant Balla hodhi poshtë akuzat e demokratëve se ky shkrim është i paguar nga Partia Socialiste dhe kërkoi që Partia Demokratike të sqarojë shqiptarët për lidhjet me Rusinë.

 

Taulant Balla:

“Investigimi nuk është kryer nga ne. Partia Demokratike përsëri i duhet të japë shpjegime se si ka vendosur një parti shqiptare kontakte të drejtpërdrejta me njerëz të besuar të qeverisë ruse. Nëse kjo është e vërtetë, kjo do të bënte një precedent tmerrësisht të rrezikshëm të ndërhyrjes së Kremlinit në politikën shqiptare”

.

Kjo çështje u bë objekt debati edhe në komisionin e ligjeve.

Alket Hyseni: “Ata që e kanë bërë këtë ‘paçavure’ do të japin llogari para të gjithë institucioneve të popullit shqiptar. Që këto para nuk i kanë nga gjyshi, as nga ato të deklaruarat. Atëherë na lind pyetja, ku i kanë gjetur?”.

Gent Strazimiri: “Është një nga ato paçavuret që ekziston vetëm për të goditur presidentin Trump dhe ka marrë të paktën 2 milionë euro nga financuesi i tyre dhe nga Edi Rama personalisht vetëm për  këtë shkrim.”

Debati u zhvillua teksa në komision ishte thirrur për të raportuar kreu i KQZ-së, Klement  Zguri, i cili tha se për dyshimet e ngritura në lidhje me financimet e Partisë Demokratike nga kompani të huaja lobimi, institucioni i drejtuar prej tij do të mblidhet në muajin Prill.

 

 Tv Klan