Reagon Presidenti Meta, opozita dhe BE

Mazhoranca vendosi të shtyjë shqyrtimin e dekretit të Presidentit Meta që riktheu në parlament Ligjin për Mediat Audiovizive, pjesë e Paketës Antishpifje.

Ndryshe nga ajo që miratua në komisione, kreu i deputetëve socialistë Taulant Balla tha në seancën e sotme plenare se për këtë ligj do të pritet opinioni i Komisionit të Venecias, i cili do ta diskutojë me procedurë të përshpejtuar në datat 20-21 Mars.   

Ndërsa ligji tjetër, ai për Komunikimet Elektronike, gjithashtu pjesë e Paketës Antishpifje do të hidhet në votim fund të seancës së sotme.  

Ky vendim i mazhorancës u përshëndet edhe nga Presidenti Meta, që e quajti hap shumë pozitiv me qëllim reflektimin për çështjet e ngritura.

Reagoi edhe Partia Demokratike me anë të ish-deputetes Albana Vokshi, e cila e konsideroi një fitore të fjalës së lirë.

Një reagim bëri edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca, që inkurajoi autoritetet të adresojnë shqetësimet e organizatave të mediave dhe komunitetit ndërkombëtar.

Tv Klan