Debati për “TK” përfshin edhe politikën europiane

Jo vetëm politika në Tiranë, por edhe ajo në Bruksel është përfshirë në debatin pro dhe kundër shembjes së teatrit kombëtar. Partia e Socialistëve Europianë, me anë të një deklarate, kërkoi që kjo çështje të mos përdoret politikisht.

“Vendimi mbi fatin e kësaj ndërtese problematike ka qëndruar në duart e qeverive shqiptare të të gjitha ngjyrave politike për 22 vjet. Qeveria aktuale socialiste e Edi Ramës ka marrë përgjegjësinë dhe ka vepruar”, thuhet në deklaratë.

Partia e Socialistëve Europianë thotë se është informuar se ndërtesa konsiderohet e rrezikshme nga ekspertët e sigurisë dhe se planet për ndërtimin e një teatri të ri modern kanë nisur pas një seri konsultimesh publike dhe transparente. Por presidenti Sergei Stanishev është ndalur veçanërisht tek përdorimi politik i ngjarjes.

“Përdorimi i situatës rreth ndërtesës së Teatri Kombëtar, një pronë e Bashkisë në Tiranë, për të përhapur ndarjen dhe polemika mes qytetarëve shqiptarë është thellësisht shqetësues. Kohët e fundit Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në rrugën e saj drejt integrimit evropian, të cilin ne e mbështesim plotësisht. Përpjekjet e disa forcave politike për të shfrytëzuar këtë rast dhe për të inkurajuar përshkallëzimin e tensioneve nuk do të bëjnë mirë as për artistët në Shqipëri, as për qytetarët”.

Në lidhje me të drejtat e qytetarëve për të demonstruar, socialistët europianë bëjnë thirrje për një fund demokratik dhe paqësor të krizës së Teatri Kombëtar dhe kundërshtojnë të gjitha nxitjet për të pushtuar prona publike dhe sabotim të punëve publike.

Por ndryshe e sheh këtë çështje e djathta. Presidenti i Partive Popullore, Donald Tusk, e dënoi shembjen e teatrit.

“E dënoj shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë të shtunën, pasi shkon kundër vlerave europiane, si ruajtja e trashëgimisë kulturore, shteti ligjor dhe dialogu transparent. Intimidimi dhe përdorimi i dhunës kundër protestuesve, shoqërisë civile, artistëve dhe vetë politikanëve të opozitës janë të papranueshme”.

E djathta europiane thotë se shteti ligjor, media e lirë dhe e pavarur dhe lufta kundër korrupsionit duhet të udhëheqin perspektiven europiane të Shqipërisë.

Tv Klan