Puna për zgjerimin e Unazës së Madhe po vijon me ritme të ngadalta. Edhe pse lëvizja e automjeteve në këto ditë është e pakët, kjo situatë nuk po shfrytëzohet për të shpejtuar punimet në këtë zonë.

I vetmi kantier ku vazhdon puna është ish-rrethrrotullimi “Shqiponja”, aty ku parashikohet ndërtimi i nënkalimit për mjetet që do të drejtohen nga zona e Laprakës për në autostradë. Po edhe aty mjetet e punës janë të pakta.

Sipa Autoritetit Rrugor Shqiptar, punimet tek ish-rrethrrotullimi “Shqiponja” po kryhen vetëm gjatë orareve 05:00 me 13:00 të vendosura nga qeveria, si dhe po evitohet puna në grup. Deri tani janë përfunduar vijëzimet e planit të menaxhimit të trafikut.

Kjo sipas ARRSH do të shmangë edhe në vijim problemet në qarkullimin e automjeteve pasi punimet e para janë nëntokësore.

Aksi nga Pallati me Shigjeta te rrethrrotullimi “Shqiponja” duhet të përfundojë brenda 2 vitesh, pas skandalit me një firmë amerikane që fitoi fillimisht tenderin përmes dokumenteve të falsifikuara, dhe pas një procesi të gjatë tenderimi dhe ankesash të cilat u zgjidhën në Shtator të vitit që shkoi, e pasi projekti ndryshoi dhe njëherë.

Tv Klan