Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë dhe situata jo shumë e favorshme në kampionat solli largimin e radhës nga Vllaznia. Shkodranët larguan nga stoli Qatip Osmanin, për ta dërguar në dy numrin e të shkarkuarve nga kuqeblutë këtë sezon, pas Migen Memellit.

Pas 10 ndeshjesh me Memellin, Vllaznia mbante vendin e 7 me pikë të barabarta me Teutën e vendit të parafundit. Me ardhjen e Qatip Osmanit, Vllaznia ia doli që të ngjitej në zonën e “Final 4”. Aktualisht mbajnë vendin e dytë, kur kanë mbetur 4 ndeshje nga fundi.

Në 22 ndeshje të Superiores, Osmani fitoi 11, barazoi 7 dhe humbi 4 prej tyre. 40 pikë në total, që kanë vlerë për pozicionin aktual. Vllaznia numëron 7 ndeshje pa fitore në të dyja kompeticionet. Kjo formë e dy muajve të fundit, mesa duket ka çuar në krisjen e marrëdhënieve mes palëve.

Osmani qëndroi në krye të skuadrës për 26 ndeshje, me ekipin që ia doli të marrë mesatarisht 1.77 pikë për takim. Largimi i Qatip Osmanit e dërgon në 17 numrin e trajnerëve të shkarkuar nga Superliga në një sezon të vetëm, me Egnatian që është e vetmja që nuk ka ndryshuar kurs në pankinë.

Klan News