Qeveria e Libisë, e njohur ndërkombëtarisht, ka pezulluar bisedimet e ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës, pasi forcat e pozicionuara në lindje të shtetit kanë sulmuar portin e kryeqytetit, Tripoli.

“Shkeljet e armëpushimit janë rikthyer”, ka thënë Qeveria përmes një deklarate.

“Milicitë kanë sulmuar portin e Tripolit, i cili konsiderohet pikë shpëtimi për shumë qytete të Libisë”, është thënë në deklaratë.

Zyrtarë qeveritarë kanë thënë se “do të pezullojnë pjesëmarrjen në bisedimet ushtarake të zhvilluara në Gjenevë derisa të merren qëndrime të ashpra kundër agresorit dhe dhunës”.

Kombet e Bashkuara kanë ndërmjetësuar marrëveshje për armëpushim në mes të qeverisë në Libi dhe Ushtrisë Kombëtare të Libisë, me bazë në lindje të shtetit, qëllim i së cilës është marrja e kontrollit të kryeqytetit.

Ky shtet i Afrikës Veriore është shkatërruar nga dhuna, prej kur udhëheqësi Muammar Gaddafi është rrëzuar nga pushteti dhe më pas është vrarë më 2011.

Aktualisht, Turqia njihet si përkrahëse e qeverisë në Tripoli, ndërsa Rusia përkrah ushtrinë dhe liderin e saj, gjeneralin, Khalifa Haftar. /REL