Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar të hënën se 2018 do të jetë vitit më i zi për krimin e organizuar dhe se vitet do të shkojnë duke u nxirë.

Nuk ka diskutim që ky vit do të jetë një vit që do të shënojë një marrëdhënie të re në përballjen e policisë me krimin e organizuar, se patjetër që do të jetë viti më i zi për krimin e organizuar. Dhe vitet do të shkojnë duke u nxirë për krimin e organizuar dhe për të gjithë elementët kriminalë që janë të përfshirë në veprimtari të strukturuara kriminale. Operacioni Forca e Ligjit sapo ka nisur, por në vetëm 4 muaj ama ka dhënë rezultate që në mos tregofshin suksesin final, tregojnë atë që ne kemi pritur, rezultate shumë premtuese për hapat në vijim”

, tha Rama në një takim me punonjësit e Policisë së Shtetit në Kryeministri.

Rama foli edhe për operacionet e fundit të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë kundër abuzimeve me pronat në bregdet, që çuan në arrestimin e zyrtarëve të lartë.

Shumë e rëndësishme për të mos u harruar, pak ditë më parë, Policia e Shtetit dhe Prokuroria finalizuan një operacion të pazakonshëm në traditën e tyre. Pas operacionit të Kavajës, të pronave në bregdet, operacioni i Lezhës. Ka një qasje të re për ta shtrirë veprimtarinë e shtetit aty ku deri dje është dukur sikur zona ishte e lirë, për t’iu dhënë një përgjigje të merituar të gjithë abuzuesve me pushtet apo me para, me pronat e shtetit apo të pronarëve të ligjshëm. Kemi marrë një vendim, të bllokojmë regjistrimin e të gjithë akteve të pronësisë në të gjithë vijën bregdetare, jo për të penalizuar pronarët e vërtetë, por për t’iu dhënë përgjigjen e merituar pas 27 vjetësh zyrtarëve të lartë dhe të mesëm dhe të gjithë bandave të të gjitha natyrave që me lloj-lloj manovrash kanë arritur të grabisin shtetin dhe qytetarin, pronat shtetërore dhe private”

, tha Rama./tvklan.al