Rama: BE, dy standarde dhe hipokrizi me Ballkanin

Rama: BE, dy standarde dhe hipokrizi me Ballkanin

16:10 18/06/2019

Kryeministri Rama u tha të pranishmëve në forumin për Ballkanin Perëndimor organizuar nga Financial Times në Londër se BE po përdorë standard të dyfishtë sa i takon procesit të integrimit të vendeve të këtij rajoni. Sipas tij, ka një politikë antishqiptare në këtë union dhe këtu sjell si shembull Holandën.

"Nëse merrni Holandën, ku janë shumë të gatshëm të sulmojnë shqiptarët në çdo zgjedhje që zhvillojnë. Para një jave pashë një kryetitull “eliminohen gangsterët shqiptarë” dhe kur lexova artikullin gangsterët ishin belg, marokenë, holandezë dhe vetëm dy shqiptarë. Por po trajtoheshin sikur të gjithë ishin shqiptarë dhe vëmendja ishte te sulmi ndaj Shqipërisë. Problemi është te politikat keqdashëse europiane. Ka shumë hipokrizi, ka shumë poshtërim, sepse po bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme puna që bëjmë ne, dhe gjithmonë e më rëndësi po i jepet dinamikave të brendshme të shteteve të ndryshme europiane.  Zorani tha sot se po pret t’i ndodhë diçka e mirë, këtu ndryshojmë. Ai është optimist i pashërueshëm, unë jam optimist tragjik, ka një ndryshim. Çështja është se raporti i Komisionit Europian doli këtë radhë në fund të Majit, për shkak të zgjedhjeve europiane. Përse raporti mbi arritjet tona në këtë e atë fushë duhet të ketë lidhje me zgjedhjet në BE? Sepse nëse raporti do kishte dalë përpara me një rekomandim të qartë pro nesh, do frymëzonte zonjën Le Pen të kërkonte me më shumë furi delen e zezë dhe fantazmat e frikshme në horizont. Kjo është një nga shumë shembujt se si gjërat janë gjithnjë e më pak të parashikueshme dhe gjithmonë e më shumë të padrejta".

E duke folur për të ardhmen e ekonomisë së vendit Rama ju kërkon investitorëve të huaj të mos ndikohen nga situata politike aktuale për të drejtuar sytë nga vendi ynë.

"Kur e sheh Shqipërinë sot në foto nuk mendon s’është vend për investime apo për pushime, sepse është në fakt. Nuk janë njerëzit të ngritur në revoltë, janë skenare politike, dhe protestat mund të integrohen në paketën tonë turistike, sepse zhvillohen si koncertet të shtunave në 20:00, pra nëse do të shohësh një protestë prenoto një vend aty rrotull. Nuk është i tërë vendi në flake, vijnë disa veta te bulevardi kryesor, hedhin ca gurë e molotov, por nëse mban një distance të sigurtë, mund ta shijosh dhe nuk e gjen tani nëpër Europë këtë. Pra, hajdeni në Shqipëri e investoni".

Ironizoi edhe daljen e Britanisë nga unioni europian, çka ngacmoi moderatorin t’i ndërhyjë me një batutë.

Edi Rama: "Është një ndjesi shumë e mirë të vish nga Ballkani tek një vend i ri i Ballkanit Perëndimor, siç është Britania. Ne po përpiqemi të futemi në BE por pasi kjo ndodh, mund të bësh siç zgjodhi Britania, të ikësh, por në fillim duhet të ndërtosh. Pra është si martesa, të gjithë të thonë që nuk është aq fantastike sa duket, por s’ka rëndësi, ti e do gjithsesi. Pastaj, merr vendimet e tua. Meqë ra fjala, kjo që po ndodh në Britani tregon që divorci është shumë herë më i vështirë se martesa".

Moderatori: "Nuk po planifikoni një karrierë të dytë si terapist çifti, apo jo"?

Edi Rama: "Jo, por Brexit vërtet i ngjan. Divorci mund të ketë disa faza, e them nga përvoja. Por të divorcohesh nga Europa duket se qenka makth. Qenka lloji i gruas që s’mund ta ndash, dhe pa marrëveshje është edhe ca më keq".

Në krah të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe shefes së qeverisë së Serbisë, duke folur për bashkëpunimin rajonal, Rama risolli propozimin e tij për një shengen ballkanik.

Tv Klan
Të ngjashme
Kolegji Profesional AKSHI