Pas shqetësimit të banorëve të zonës, sipërmarrësi i impiantit të ferrokromit, AlbChrom në Elbasan, u detyrua të investojë në një fabrikë për pastrimin e pluhurit. Me këtë investim kompania turke ka përmirësuar dhe kushtet e punës për punonjësit e saj, çka për kryeministrin, që u bë pjesë e ceremonisë inauguruese, është shumë domethënëse në ditën e punëtorëve.

“Unë i thashë zotit Yildirim që në momentin që kjo përfundon, në 1 maj ne do të vijmë për ta kremtuar këtë fakt i cili është një fakt i mirëpritur për komunitetin. Ja ku jemi sot, në 1 maj këtu që të shohim jo vetëm rezultatin e këtij investimi por të shohim dhe të gjithë transformimin e bërë për të rritur cilësisht kushtet e punëtorëve, Dua ta falënderoj kompaninë edhe për një fakt tjetër, që ka bërë një rritje të ndjeshme qysh se ka nisur të operojë në Shqipëri të pagës mesatare dhe është mirë ta dinë të gjithë që sot paga mesatare e kompanisë AlbChrome në tërësi është 1000 euro dhe paga mesatare e kompanisë AlbChrome këtu në këtë impiant është rreth 900 euro”, tha Rama.

Prodhimi minerar në vendin tonë përbën gati 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, me 150 milionë euro të ardhura vjetore, ndërsa eksporti i tyre shkon në 80 milionë euro në vit. Një nga kompanitë që ka kontribut në përpunimin e kromit në vend është dhe Yildirim, pronari i së cilës kërkon të investojë rreth 1 miliard euro për nxjerrjen mineraleve, por ai kërkon miratimin e një ligji për licencat shtresore në të njëjtat koordinata të nëntokës.

Por zv/kryeministrja, që shpreh gatishmërinë e qeverisë për të mirëpritur çdo investim privat, flet për detyrimet që ka Shqipëria si vend kandidat në BE, për të mos dalë nga normat që përcakton legjislacioni europian. Çka u përforcua dhe nga kryeministri.

“Në një fazë të re ku Shqipëria, me çeljen e negociatave, ka marrë angazhime të forta lidhur me mjedisin, Ligjet për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit dhe menaxhimi i integruar i mbetjeve janë një shëmbëlltyrë e kësaj faze të re, ato janë në zhvillim e sipër nga ana e ministrisë dhe e qeverisë dhe së shpejti do t’i kalojnë Parlamentit ndërkohë që sipërfaqja e mbrojtur e Shqipërisë është rritur nga 17% që ishte kur ne e morëm këtë detyrën në afro 22%, ashtu sikundër nga ana tjetër dhe kontrolli, i shoqëruar me vetëdije të rritur të sipërmarrjeve po jep rezultate pozitive”.

Në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të mineraleve, i cili është krejtësisht privat janë të punësuar rreth 7 mijë punonjës.

Tv Klan