Forcën e fitores në zgjedhjet e 2025-ës, Edi Rama e sheh jo vetëm tek elektorali rozë, por fton që t’i bashkëngjiten Partisë Socialiste edhe ata që deri dje ishin rreshtuar në kampin blu.

Ndaj dhe mesazhin për të mbajtur hapur derën e partisë që drejton, të vetëve ua ripërsërit edhe nga Kukësi ku vijoi takimet me organizatat socialiste që kanë nisur procesin e anëtarësimeve të reja.

“Ne nuk duhet t’i  shohim njerëzit me sytë e së kaluarës. Të gjithë kanë të drejtë të ndryshojnë dhe të gjithëve i duhet dhënë mundësia që të jenë pjesë e jona nëse duan të jenë pjesë e jona”, tha Rama.

Pavarësisht se probabilitetin që Partia Socialiste të humbë zgjedhjet parlamentare e sheh tepër të ulët, preferon që si çdo skuadër pas një fitoreje, së bashku me ekipin e tij të nisin pa humbur kohë nga puna për trofeun e radhës.

“Ky është një probabilitet i ulët, por këto mund të kthehen në mbrapa nëse ne nuk jemi vazhdimisht të gatshëm që të përmirësojmë mënyrën sesi ne funksionojmë, sesi ne qeverisim, sesi ne punojmë”, u shpreh Rama.

Gjatë qëndrimit në Kukës, Rama inspektoi edhe urën e madhe të këtij qyteti 310 metra të gjatë, që bashkon brigjet e Drinit, në Rrugën e Kombit. Një vepër infrastrukturore për të cilën po punohet prej tre vitesh e që pritet të shmangë vështirësitë në qarkullim, sidomos në sezonin e verës dhe aksidentet në kohën e ngricave.

Tv Klan