Eksporte ushtarake “Made In Albania” është plani i qeverisë i shpalosur nga kryeministri Edi Rama gjatë çeljes së Qendrës së Re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes. Plani për të pasur mjete ushtarake të shtetit shqiptar, sipas kreut të qeverisë synon të realizohet brenda vitit 2030.

Kryeministri Edi Rama: Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës “Made in Albania’’.

Për realizimin e këtij plani, Edi Rama thotë se aleati kryesor do të jetë shteti.

Kryeministri Edi Rama: Shteti duhet të jetë partner, shteti duhet të jetë ortak, shteti duhet të jetë aksioner dhe nga gjithë këto procese zhvillimesh ekonomike, shteti duhet të marrë pjesën e tij.

Mbështetjen financiare, kryeministri Rama e sheh si një element të rëndësishëm për përforcimin e Forcave të Armatosura, për këtë arsye, kreu i qeverisë njoftoi se për ta do të ketë rritje pagash çdo vit, për të përafruar pagën e tyre në mesataren e vendeve të NATO-s.

Kryeministri Edi Rama: Pagat e Forcave tona të Armatosura rriten çdo vit dhe do të rriten përsëri këtë vit, në mënyrë përsëri të ndjeshme që ne të kemin një trupë ushtarake të financuar dhe të paguar në mesataren e vendeve të NATO-s.

Qendra e re e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes, sipas kreut të qeverisë, hap një tjetër faqe në modernizimin e Ushtrisë Shqiptare, si edhe krijon kushte optimale për zhvillimin e teknologjive të reja.

Klan News