Samiti i Prespës, kryeministri: Të bashkëpunojmë për t’u lehtësuar jetën qytetarëve

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të presin pafundësisht Bashkimin Europian, por duhet të veprojnë për të lehtësuar jetën e qytetarëve. Këtë mesazh dha kryeministri Edi Rama në Forumin e Prespës në Ohër, ku nuk u kursye aspak me kritika ndaj BE-së.

“Europa s’mund të na tregojë ç’të bëjmë në këtë rajon, ne mundemi përmes veprimeve tona t’ua lehtësojmë jetën gjithë njerëzve që jetojmë këtu. Pse duhet të presim të bëhemi anëtarë të BE që të bëjmë tregti pa barriera”.

Para Albin Kurtit dhe Ana Brnabiç, Edi Rama foli dhe për konfliktin Kosovë-Serbi, duke kërkuar që mos të bëhen pengesë për bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit.

“Kemi konflikte që duhen të zgjidhen. Konflikti mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet ti mbajë dhe vendet e tjera të pazhvilluara që të mos pajtohemi në këtë drejtim. Ka dhe shumë  çështje të tjera që duhet t’i zgjidhim bashkarish”.

Teksa sqaroi qëllimin e Shengenit Ballkanik, kryeministri Rama kujtoi mbledhjen e gjithë liderëve para Angela Merkel, që në këtë forum kryeministri Rama e pagëzoi me një pseudonim.  

“U thirrëm nga papa i BE, Merkeli si besimtarë të mëdhenj në besimin e BE dhe për herë të parë u gjendëm në një tryezë të përbashkët që jot a kontestojmë të ardhmen por si ta ndërtojmë ardhmërinë e përbashkët. Ne bëmë diçka të shkëlqyeshme me atë që u mblodhëm, ndërsa tani na duhet një stimulim dhe duhet kuptuar se nuk ka asnjë mbivendosje mbi anëtarësimin e BE dhe zonën Shengen”.

Para nisjes së forumit, kryeministri Edi Rama u takua me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Ndryshe nga takimet e fundit ku tensioni ka qenë më i madh mes tyre, dy homologët duken të relaksuar dhe të buzëqeshur. E përveç Kurtit, kryeministri shqiptar takoi edhe kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, Ali Ahmetin.

Klan News