Raporti i OSBE gati për Ukrainën

Pak orë pasi kryediplomati rus Lavrov i tërhoqi vëmendjen shefit aktual të OSBE-së Edi Rama se duhej që organizata që drejton të bënte raporte objektive për situatën e konfliktit në Ukrainën lindore, organizata në fjalë publikoi raportin.

Në zonë, sipas raportit të fundit, forcat ushtarake qeveritare ukrainase dhe rebelët e mbështetur nga Rusia vijojnë ta mbajnë gjendjen e tensionuar. Misioni Special i Monitorimit i OSBE-së në Donbas gjatë armëpushimit të vendosur që më 27 Korrik numëroi 634 shkelje të armëpushimit.

Në zonën e Donetsk dhe Luhansk u regjistruan 92 shpërthime, dy prej tyre ku janë përdorur municione të paidentifikuara si dhe 534 shpërthime e të shtëna. Misioni i OSBE-së vazhdon të monitorojë zonat e Stanytsias, Luhanskut, Zolotit dhe Petrovskit. 

Misioni po ndërmjetëson armëpushimin për të bërë të mundur riparimet në infrastrukturën jetësore civile dhe për të siguruar funksionimin e rrugëve në të dy anët e linjës së kontaktit.

Vëzhguesit po monitorojë situatën e popullatës civile edhe në vazhdën e shpërthimit të COVID-19, veçanërisht në pikën e kontrollit hyrje-dalje në Oblastin e Luhansk. Përfqësuesit e OSBE-së vazhduan të përballen me kufizime mbi lirinë e lëvizjes.

Në raportin e Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë thekson se arritja kryesore e armëpushimit është se asnjë ushtar i vetëm ukrainas nuk u vra ose u plagos për shkak të granatimeve të militantëve.

Gjatë luftës 6-vjeçare në lindje të Ukrainës, janë vrarë më shumë se 14 mijë njerëz dhe kjo situatë ka rënduar tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit. Forcat ukrainase dhe rebelët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës kanë shkëmbyer të burgosurit vetëm tre herë gjatë konfliktit, i cili filloi në vitin 2014.

Klan Plus