Kushti pas 25 Prillit: Të ndahet nga Meta dhe Berisha

Kryeministri Rama ka propozuar kreut të Partisë Demokratike bashkëpunim pas zgjedhjeve të 25 Prillit, por me kushtin që ai të shkëputet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët i ka cilësuar si të keqen e vendit.

Në një intervistë televizive, Kryeministri ka propozuar bashkëpunimin me qëllim transformimin e jetës politike për shqiptarët.

“Pas 25 prillit jam i gatshëm të bashkëpunoj me opozitën, dhe me Bashën, por me një kusht të thjesht që të ndahet nga Meta dhe Berisha. Për të transformuar një jetë politike që është realisht që është kthyer në stres për shqiptarët. Bashkëpunim ngushtësisht si në vendet që ne duam të arrijmë dhe atyre që ne duam t’i ngjajmë, nuk flas për gjëra konkrete, se ne do kemi shumicën, pra nuk do të kemi probleme të kësaj natyre, por sidoqoftë në emër të shumicës unë jam shumë i gatshëm të shkoj përtej politikës së këtyre viteve dhe të angazhohem që politika e ardhshme të jetë 100% në dispozicion të projektit ekonomik,  të mirëqenies shqiptare, dhe asnjë përqind e fokusuar te vetëvetja, te politikanët, jo te konfliktet dhe idiotësisë. A do e pengojë këtë bashkëpunim Meta dhe Berisha? Duhet që Lulzim Basha ta thotë që do të ndahet plotësisht prej tyre”.

Por në një reagim në rrjetet sociale, Lulzim Basha e ka mohuar mundësinë e këtij bashkepunimi.

“Në 25 Prill shqiptarët do votojnë numrin 9 për ta larguar Ramën dhe ai nuk do jetë kurrë pjesë e qeverisjes sonë. Koha e tij ka mbaruar. Ne do të sjellim ndryshimin dhe Shqipëria do fitojë”.

Përgjigjia e Bashës ka sjellë një tjetër reagim nga Kryeministri Rama, që ngre pikëpyetje për disa çështje të rëndësishme në vend.

“Po pse vallë janë më të rëndësishëm për ty Saliu dhe Iliri se sa Shqipëria Lulëzim?! Shqiptarët duan bashkim, duan që ne të gjithë të punojmë për ta dhe ekonominë e tyre përtej pandemisë, duke e lënë pas politikën e vjetër të sherrit, dasisë, konfliktit deri në absurd! Pse ti jo”.

Propozimi i Ramës vjen kur kanë mbetur edhe pak ditë para zgjedhjeve, në kulmin e fushatës zgjedhore për 25 Prillin.

Tv Klan