Kryeministri Edi Rama ka prezantuar paraditen e kësaj të marte programin e PS për arsimin në vend.

Në fjalën e tij Rama është shprehur se ndihet mirë për faktin që në Shqipëri nxënësit dhe studentët janë vlerësuar me merita dhe jo me para.

Më tej ai shton se është krenar kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet dhe nuk del i pari në konkurrencë me fëmijën e çobanit apo infermierit.

“Jam krenar për një arritje që e kanë prekur, e kanë jetuar, shijuar, vlerësuar, maturantët pa lekë, pa krushq, pa miq, pa litar partie në qafën e tyre të njomë. Por me 10-ta, me dije dhe aftësi të spikatura që nga majat e maleve dhe nga zonat e largëta e deri në qendrat e qyteteve.

Fëmijë të shkëqyer familjesh me ndihmë ekonomike apo prindërish pa mbiemra të njohur që falë rivendosjes së konkurrëncës dhe meritës për herë të parë në historinë e dhimbshme dhe të lodhshme të këtij tranzicioni.

Në sistemin e hyrjes në universitet i gjen çdo fundverë në krye të listave hyrëse. Zotër të vetes dhe gurë të rëndë në vendin e vetë. Ku askush nuk i lëviz dot që vendin t’jua zërë dikush me lekë, taraf, me mbështetje partie apo me një mbiemër të njohur.

Jam shumë krenar kur fëmija i një VIP-i nuk e meriton të hyjë në universitet në atë fakultet që i ka vënë syrin për të fituar një vend pëllumbash më vonë, nuk shans të hyjë.

Apo kur del mbrapa fëmijës së një çobani apo fëmijës së një infermieri, nuk ka shans ta parakalojë. Sepse sistemi i hyrjes në universitet është digjital, meritokratik, transparent dhe i pamanipulueshëm”, deklaroi Rama./tvklan.al