Pas rikthimit të normalitetit në parlament, shumica ka vendosur të risjellë për votim në seancën plenare të 4 Prillit projektligjin e Amnistisë Penale.

Vendimi është diskutuar dhe mes Kryeministrit, Kryeparlamentares, Ministrit të Drejtësisë dhe kreut të grupit kuvendor, të cilët për disa minuta janë mbledhur në zyrën e Lindita Nikollës, në Kryesinë e Kuvendit. Takimi është zhvilluar pas mbledhjes së Grupit Parlamentar Socialist, që u drejtua këtë të hënë nga vetë Kryeministri, pa praninë e mediave.

Rama ka përsëritur për deputetët e tij porositë e Asamblesë Kombëtare, për të vijuar punën në çdo organizatë socialiste dhe për të çuar në 50 mijë anëtarësimet e reja, në vetëm 6 muajt e parë të këtij viti.

Edhe pse dakordësia me opozitën u zyrtarizua javën e shkuar në Konferencën e Kryetarëve, kryetari i grupit kuvendor, Çuçi vetëm sot ka informuar të zgjedhurit e selisë rozë për të. Ai ka ripërsëritur deklaratat e Kryeministrit se nuk ka pasur një marrëveshje, por opozita u rikthye nga andej ku kishte ikur për afro 5 muaj.

Çuçi ka sqaruar se nuk ka dakordësi për një nënkomision ligjesh, por një mekanizëm dialogu për të gjitha nismat ligjore që kërkojnë shumicë votash prej 3/5 dhe çështjet që lidhen me procesin e integrimit.

Në seancën e kësaj të enjteje, e para që pas strategjisë bllokuese të ndjekur për 5 muaj, që do të riulë opozitën në karriget e saj në parlament në rendin e ditës janë akti normative për rishikimin e buxhetit, projektligji për Gradën e Republikës, si dhe ai për sigurinë kibernetike.

Tv Klan